Këngëtarja kanadeze Céline Dion ka njoftuar 10 koncerte shtesë në Paris, pas kërkesës së jashtëzakonshme për paraqitjet e saj të planifikuara gjatë vitit 2026.
Kompanitë organizatore, AEG Presents dhe Inter Concerts, njoftuan se biletat do të shiten përmes kanaleve të posaçme të rezervuara për fansat e përzgjedhur që ishin regjistruar më herët në para-shitje.
Seria e koncerteve “Celine Dion Paris 2026–2027” do të përfshijë disa nga hitet më të mëdha të artistes, si në gjuhën frënge ashtu edhe në atë angleze, në një program që i kushtohet këngëve që kanë shënuar karrierën e saj shumëvjeçare ndërkombëtare. Drejtimin artistik të produksionit e ka marrë përsipër Willo Perron, i njohur për projektet e tij të vlerësuara me çmime.
Sipas organizatorëve, koncertet në Paris synojnë të jenë ndër ngjarjet më të rëndësishme muzikore të viteve të ardhshme dhe një rikthim i madh i Céline Dion pranë publikut të saj, pas problemeve serioze shëndetësore që e mbajtën larg skenës në vitet e fundit.
Artistja u tërhoq për një periudhë nga aktivitetet muzikore pasi në vitin 2022 u diagnostikua me Stiff Person Syndrome (Sindroma e Njeriut të Ngurtë), një sëmundje e rrallë neurologjike që ndikon në lëvizjen dhe funksionimin e muskujve./mxh
