Last Updated on 03/06/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku mbron zhvillimin e projektit dhe investitorët e përfshirë.
Më poshtë statusi i plotë i Kryeministrit:
NUK SHEH SYRI SHEH MENDJA
Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë
Po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit, të cilët fatkeqësisht janë manipuluar nga lufta hibride që po zhvillohet egërsisht në rrjetet sociale nga armiqtë e vendit e tonë
Kështu e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec, dy vëllezërit e famshëm nga Katari që e kanë paguar me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare, si edhe bashkëpronarë të konglomeratit global Power Holding, një fuqi e madhe sipërmarrëse jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe më gjerë
Kush do të njihet me aktivitetin e tyre dhe të mësojë më shumë edhe për dy zhvillimet e bukura të postuara këtu, le të klikojë powerholding.com që të kuptojë se kush po vjen në këtë Shqipëri të rilindur ndërkombëtarisht, e pse s’mund të vijë kurrë dot për të prishur po vetëm për të lartësuar
Ndërsa kush nuk do të dëgjojë e të kuptojë, do duhet të presë si ata që ishin kundër stadiumit kombëtar, e pastaj panë finalen europiane në Tiranë duke bërë selfije me stadiumin./ET
