Kryeministri Edi Rama zhvilloi një intervistë aspak të qetë për rrjetin televiziv prestigjioz amerikan CNN.
I pyetur për protestat në Shqipëri, Rama tha se ka shumë lajme të rreme që po thuhen për këtë çështje. Madje ai u shfaq i revolotuar edhe ndaj gazetares së CNN derisa në fund ajo u detyrua t’i presë fjalën për shkak se Rama nuk po pushonte.
Sjellja e Ramës në CNN i ngjasonte asaj të Donald Trump që sa herë përballet me CNN e akuzon për “lajme të rreme”. Ndoshta kjo ishte një mënyrë e zgjedhur nga Rama për të rënë në sy të kreut të Shtëpisë së Bardhë ose atyre rreth tij.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Më lejoni fillimisht të marr reagimin tuaj për protestat që kemi parë si në kryeqytetin Tiranë, ashtu edhe në qytetet bregdetare, lidhur me këtë zhvillim që lidhet me Jared Kushner. Si i përgjigjeni ju protestave dhe shqetësimeve të tyre?
Edi Rama: Së pari, ju falënderoj që më jepni këtë mundësi, sepse duhet të them se është vërtet mbresëlënëse të ndiesh peshën e lajmeve të rreme që vijnë edhe nga media që, në sytë e mi, janë shumë të respektuara.
Dhe vetëm për të saktësuar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet.
Ne jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë. Është nën sulm nga konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut. Është nën sulm nga mijëra e qindra mijëra profile të rreme (bots) që janë krijuar për të shkaktuar gjithë këtë stuhi.
Dhe sigurisht, në këtë protestë ka njerëz me qëllime të mira, të rinj që në përgjithësi janë të interesuar për mjedisin, por që janë keqinformuar në masë të madhe.
Nuk ekziston diçka e tillë si “ishulli i familjes Trump”. Nuk ekziston diçka e tillë si familja e presidentit amerikan që po merr nën kontroll zonat e mbrojtura me flamingo./mxh
