Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Libanin jugor këtë të mërkurë, në një kohë kur marrëveshja e brishtë për një armëpushim të pjesshëm po vihet seriozisht në provë.
Mes viktimave janë dy mjekë të ekipit të urgjencës, ambulanca e të cilëve u godit në zonën e Chehour-it, ndërsa një tjetër sulm ndodhi ndaj një makine në jug të kryeqytetit, Bejrut. Ministria libaneze e Shëndetësisë denoncoi aktet, duke deklaruar se sulmet ndaj personelit mjekësor bien ndesh me ligjin ndërkombëtar humanitar.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se ka interceptuar një dron dhe dy predha që kishin kaluar kufirin nga territori libanez. Si kundërpërgjigje, grupi Hezbollah deklaroi se ka shënjestruar një grup trupash izraelite në veri të Izraelit, duke pretenduar se veprimet e tyre ishin përgjigje ndaj shkeljes së armëpushimit nga ana e Izraelit.
Situata mbetet tejet e tensionuar edhe pse diplomatët izraelitë dhe libanezë po zhvillojnë bisedime të dyta në Uashington, me qëllim gjetjen e një plani sigurie që do ta bënte Libanin të pavarur nga ndikimi i Hezbollahut.
Ky përshkallëzim vjen pavarësisht marrëveshjes së arritur të hënën, ku Izraeli ishte zotuar të mos bombardonte kryeqytetin Bejrut, në shkëmbim të ndalimit të sulmeve nga Hezbollahu. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se kishte ndërhyrë personalisht për të ndaluar bombardimet në kryeqytetin libanez, duke i bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të shmangë luftimet e mëtejshme.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Liban, që nga fillimi i luftës më 2 mars, numri i të vrarëve ka arritur në të paktën 3,516 persona, ndërsa mbi një milion banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Izraeli raporton se në këtë konflikt janë vrarë 26 ushtarë dhe katër civilë izraelitë./mxh
