Last Updated on 04/06/2026 by Anisa
Shkruar nga Loy Carlos
Shqipëria po përgatitet të shndërrojë Ishullin e Sazanit, dikur një bazë ushtarake e izoluar dhe e ndaluar për publikun, në një resort ekologjik ultra-luksoz me vlerë 1.4 miliardë euro. Projekti parashikon ndërtimin e vilave private, një marine për superjahte dhe restaurimin e fortifikimeve historike, në atë që autoritetet e konsiderojnë si hyrjen e Shqipërisë në hartën botërore të turizmit të luksit.
I mbështetur nga një konsorcium ndërkombëtar investitorësh dhe zhvilluesish, që sipas raportimeve lidhen me kapital amerikan dhe nga vendet e Gjirit, Resorti i Ishullit të Sazanit synon të mirëpresë vizitorët e parë deri në vitin 2028. Kompleksi do të përfshijë dy hotele luksoze, një rrjet rezidencash buzë detit dhe një marinë moderne të aftë të akomodojë jahte të mëdha në brigjet e Detit Jon.
Ishulli me sipërfaqe 5.7 kilometra katrorë ndodhet përballë Vlorës, në hyrje të Gjirit të Vlorës, aty ku bashkohen ujërat e Adriatikut me ato të Jonit.
Dikur një zonë ushtarake e mbyllur gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani sot tërheq vëmendjen për shkëmbinjtë e tij gëlqerorë dhe shpellat spektakolare nënujore, të cilat konsiderohen ndër asetet më të çmuara të projektit. Hartuesit e planit theksojnë se mbrojtja e mjedisit dhe përdorimi i energjisë së qëndrueshme do të jenë në qendër të zhvillimit, me ndërtime që do të integrojnë gurë të ricikluar dhe mikro-rrjete me energji diellore për të minimizuar ndikimin në ekosistemin natyror të ishullit.
Zyrtarë të qeverisë e kanë përshkruar Sazanin si “Mykonosin e ardhshëm me shpirtin e Malit të Zi”, duke synuar ta pozicionojnë atë si një destinacion ekskluziv për turistët me të ardhura shumë të larta, të cilët kërkojnë privatësi, trashëgimi historike dhe akses të lehtë përmes jahteve.
Pamjet e para konceptuale paraqesin mjete detare që transportojnë vizitorët nga marina e ujërave të thella drejt vilave të ndërtuara në tarraca panoramike, me pamje mahnitëse mbi gjiret me ujëra të kristalta.
Megjithëse ende nuk është publikuar një kalendar zyrtar për realizimin e projektit, studimet e fizibilitetit janë në proces dhe negociatat vazhdojnë për financimin e infrastrukturës si dhe sigurimin e lejeve mjedisore.
Ekspertët e turizmit paralajmërojnë se sfidat teknike të ndërtimit dhe procedurat rregullatore mund të shtyjnë afatet e realizimit, por njëkohësisht vlerësojnë se projekti pasqyron ambicien e Shqipërisë për t’u shndërruar në një destinacion elitar mesdhetar, në të njëjtin nivel me Greqinë dhe Kroacinë.
Nëse projekti realizohet sipas planit, Resorti i Ishullit të Sazanit do të jetë një nga investimet më të mëdha në turizmin luksoz në Europën Juglindore gjatë dekadës së fundit, duke treguar se kufiri i ri i ekskluzivitetit mund të gjendet në një ishull që dikur ishte simbol i izolimit dhe sekretit ushtarak./a.d
https://www.officeofglobalwealth.com/daily-briefs/sazan-island-the-adriatics-next-billion-dollar-secret
