Politikanët progresistë po ashpërsojnë sulmet ndaj manjatit të teknologjisë, Elon Musk, duke vënë në qendër statusin e tij si “trilioneri i parë në botë”, vetëm pak ditë para ofertës publike rekord të kompanisë së tij hapësinore, SpaceX.
Musk, aktualisht personi më i pasur në botë, pritet të bëhet trilioneri i parë global menjëherë pasi kompania e tij e raketave të nisë shitjen e aksioneve në bursë — potencialisht që javën e ardhshme, më 12 qershor.
Edhe pse Musk është përballur prej kohësh me kritika të forta nga demokratët, sidomos pas rolit të tij kontrovers në administratën e Donald Trump, rritja e pasurisë së tij drejt pragut prej 1 trilion dollarësh po e kthen atë në një objektiv edhe më të madh politik për ata që kërkojnë të vënë në pah pabarazinë ekonomike në SHBA, në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
“Pabarazia e të ardhurave është një problem i madh në Amerikë dhe fakti që po krijojmë trilionerin e parë e ilustron qartë këtë problem,” tha Darrell West, studiues i lartë në Brookings Institution, i cili merret me studimin e pabarazisë ekonomike.
“Ky do të jetë një debat i madh në vitet 2026 dhe 2028,” shtoi ai.
Një trilioner është një person me një pasuri prej të paktën 1,000,000,000,000 dollarësh — ose një mijë herë më shumë se kufiri për të qenë miliarder. Studiuesit thonë se kjo është një shumë aq e madhe, saqë shumica e njerëzve e kanë të vështirë ta perceptojnë realisht.
Për progresistët amerikanë, diskutimi nuk është më vetëm për “milionerë dhe miliarderë” — një slogan politik i përdorur prej vitesh. Tani, fjala “trilioner” po hyn gjithnjë e më shumë në diskursin politik dhe po përhapet shpejt si në rrjetet sociale, ashtu edhe në fushata elektorale.
“Askush nuk duhet të jetë trilioner. Taksoni të pasurit, dreqin!” deklaroi deputetja demokrate Pramila Jayapal në platformën X.
Ndërkohë, senatori i pavarur Bernie Sanders tha gjatë një tubimi në Maine se Musk “do të bëhet edhe më i pasur në javët e ardhshme” dhe e quajti “çmenduri” faktin që një individ të ketë një pasuri kaq të madhe.
Edhe politikania demokrate nga Michigan, Mallory McMorrow, e ka përdorur figurën e Musk në fushatën e saj, duke deklaruar: “Të pasurit po bëhen më të pasur. Kemi Elon Musk, i cili po synon të bëhet trilioner.”
Në një intervistë telefonike, McMorrow tha se përdor pasurinë e Musk si pikënisje për të diskutuar çështje të tjera, si çmimet e karburanteve, shkurtimet në kujdesin shëndetësor dhe kontratat qeveritare që kanë kontribuar në suksesin e SpaceX.
“Elon Musk nuk do të ishte kaq i suksesshëm pa miliarda dollarë kontrata dhe subvencione qeveritare,” tha ajo.
Sipas saj, “1 trilion dollarë do të mjaftonin për të financuar të gjithë shtetin e Michiganit — me 10 milionë banorë — për më shumë se 12 vite, përfshirë kujdesin shëndetësor, infrastrukturën, shkollat dhe çdo shërbim publik.”
Pasuria e Musk varet nga disa faktorë, përfshirë vlerën e aksioneve të Tesla dhe çmimin që do të ketë SpaceX pasi të dalë në bursë. Sipas dokumenteve financiare të publikuara këtë javë, SpaceX planifikon të ofrojë aksionet fillestare me 135 dollarë secila, çka do ta çonte pasurinë neto të Musk në rreth 988 miliardë dollarë. Një rritje e vogël e aksioneve mund ta kalojë menjëherë pragun historik prej 1 trilion dollarësh.
Debati online mbi statusin e tij të mundshëm si trilioner është intensifikuar prej muajsh. Vitin e kaluar, pas një marrëveshjeje të re kompensimi nga Tesla që mund të arrinte vlerën e 1 trilion dollarëve, këngëtarja Billie Eilish e quajti Musk “frikacak” në rrjetet sociale, ndërsa Musk iu kundërpërgjigj duke thënë se ajo “nuk është mjeti më i mprehtë në kuti”.
Nga ana tjetër, admiruesit e Musk e shohin këtë moment si provë të suksesit të tij. Në platformën X, shumë mbështetës po numërojnë ditët deri kur ai të bëhet trilioneri i parë, duke e cilësuar “të pandalshëm”.
Vetë Musk ka mbrojtur shpesh pasurinë e tij, duke deklaruar se qëllimi nuk është luksi personal, por financimi i një kolonie njerëzore në Mars.
“Nuk kam asnjë motiv tjetër për të grumbulluar pasuri personale, përveçse të jap kontributin më të madh të mundshëm për ta bërë jetën shumë-planetare,” deklaroi ai në vitin 2016 gjatë një fjalimi në një kongres astronautik ndërkombëtar në Meksikë.
Megjithatë, debati për pasurinë ekstreme po intensifikohet. Një sondazh i realizuar nga Economist/YouGov tregoi se 80% e amerikanëve besojnë se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është një problem serioz, ndërsa 59% mendojnë se qeveria duhet të ndërhyjë për ta zvogëluar atë.
Strategët progresistë e shohin Musk si një simbol të pabarazisë ekonomike — një figurë që mund të përdoret politikisht për të nxjerrë në pah vështirësitë ekonomike të klasës së mesme amerikane.
“Shumica e njerëzve mezi përballojnë blerjen e një shtëpie dhe janë vetëm një hap larg falimentimit,” tha Randi Weingarten, duke argumentuar se pasuria e Musk është një temë me ndikim të madh politik.
Ndërsa Musk i afrohet 1 trilion dollarëve, debati mbi taksimin e super të pasurve dhe pabarazinë ekonomike pritet të bëhet edhe më i ashpër në politikën amerikane./fjala.al-a.d
