Last Updated on 04/06/2026 by EL
Ish-trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka paraqitur padi kundër Turqisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), duke kundërshtuar sanksionet disiplinore që iu shqiptuan gjatë periudhës sa e drejtonte klubin nga Stambolli.
Sipas mediave turke, Gjykata në Strasburg e ka pranuar padinë për shqyrtim dhe ka kërkuar zyrtarisht një deklaratë nga qeveria turke, e cila ka afat gjashtë muaj për t’u përgjigjur.
Çështja lidhet me dënimet e vendosura ndaj portugezit nga Bordi Disiplinor i Futbollit Profesional (PFDK) i Federatës Turke të Futbollit, pas komenteve që ai kishte bërë pas një ndeshjeje ndaj Trabzonsporit në nëntor të vitit 2024.
Si pasojë e atyre deklaratave, Mourinho u ndëshkua me masa disiplinore, u përjashtua nga dhoma e zhveshjes dhe u gjobit me disa qindra mijëra lira turke.
Më pas, edhe Bordi i Arbitrazhit i federatës turke e la në fuqi vendimin, duke e shtyrë trajnerin të ndjekë rrugë ligjore ndërkombëtare.
Argumentet e Mourinhos
Në padinë e tij, Mourinho pretendon se organet disiplinore të Federatës Turke të Futbollit nuk janë të pavarura, ndërsa thekson se dënimet e dhëna ndaj tij kanë shkelur të drejtën për lirinë e shprehjes.
Po ashtu, ai argumenton se nuk i është dorëzuar në mënyrë të rregullt vendimi i arsyetuar për dënimin, çka – sipas tij – i ka mohuar të drejtën për gjykim të drejtë.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, sipas raportimeve, ka sqaruar se kërkesa drejtuar qeverisë turke nuk e paragjykon epilogun, por shënon nisjen e procedurës zyrtare të shqyrtimit.
Mourinho u emërua trajner i Fenerbahçes në vitin 2024 dhe u largua nga klubi në gusht 2025. Gjatë periudhës në Turqi, ai e udhëhoqi ekipin në 62 ndeshje, me një mesatare prej 2.02 pikësh për ndeshje.
Aktualisht ai është në stolin e Benficas, ndërsa mediat e kanë lidhur edhe me një rikthim të mundshëm te Real Madridi, në rast se Florentino Pérez siguron mandat të ri në krye të klubit. /ET


