Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka akuzuar miliarderin amerikan Elon Musk për ndërhyrje në politikën britanike dhe për nxitje të përçarjeve në shoqëri, pas komenteve të këtij të fundit lidhur me një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar.
Debati është rikthyer pas dënimit të Vikrum Digwa, 23 vjeç, i shpallur fajtor për vrasjen e studentit Henry Nowak në dhjetor të vitit të kaluar. Rasti ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht pas publikimit të pamjeve nga kamerat trupore të policisë.
Në video, Nowak shihet i shtrirë në tokë duke deklaruar se ishte goditur me thikë dhe se nuk mund të merrte frymë, ndërsa efektivët i vendosin prangat. Një prej oficerëve dëgjohet duke i thënë: “Nuk mendoj se je goditur, shok”.
Sipas hetimeve, autori i krimit kishte deklaruar fillimisht para policisë se viktima e kishte ofenduar në baza racore dhe e kishte sulmuar, pretendime që më vonë rezultuan të pavërteta.
Pas publikimit të pamjeve, Elon Musk reagoi me një sërë postimesh në rrjetin social X, ku kritikoi ashpër policinë britanike dhe mediat, duke pretenduar se rasti po trajtohej në mënyrë të padrejtë. Ai i cilësoi oficerët si “bashkëpunëtorë në vrasje” dhe akuzoi autoritetet se po vepronin të ndikuara nga çështje racore.
Kryeministri Starmer i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se Musk po përpiqet të nxisë ndasi në shoqërinë britanike.
“Britania është një vend i arsyeshëm dhe tolerant. Kur përballemi me tragjedi të tilla, reagojmë me qetësi dhe përgjegjësi”, tha Starmer.
Ndërkohë, familja e Henry Nowak e ka cilësuar trajtimin e të riut nga policia si “çnjerëzor dhe degradues”, por ka bërë thirrje që vdekja e tij të mos përdoret për të krijuar urrejtje apo tensione të reja në shoqëri.
Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar mbi veprimet e policisë, trajtimin e incidenteve me komponent etnik dhe ndikimin e figurave publike në diskutimet politike përmes rrjeteve sociale./mxh
