Mali i Zi synon të bëhet vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, një objektiv ambicioz që autoritetet në Podgoricë e konsiderojnë të arritshëm, pavarësisht sfidave që mbeten në rrugën e integrimit.
Slogani “28 deri në 2028 – Anëtari i ardhshëm i BE-së”, i vendosur së fundmi në avionët e kompanisë Air Montenegro, pasqyron qartë ambicien e shtetit ballkanik për t’u bërë vendi i parë që i bashkohet unionit pas Kroacisë, e cila u anëtarësua në vitin 2013.
Megjithatë, procesi nuk është i garantuar. Mali i Zi duhet të përmbushë një sërë reformash të rëndësishme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Për më tepër, anëtarësimi duhet të ratifikohet nga të gjitha 27 shtetet aktuale të Bashkimit Evropian.
Deri më tani, Podgorica ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur 14 prej tyre. Në fund të vitit 2025 u përfunduan negociatat për kapitujt që lidhen me bujqësinë dhe lëvizjen e lirë të kapitalit.
Megjithatë, kapitujt kyç që lidhen me sundimin e ligjit mbeten ende të hapur. Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, asnjë kapitull tjetër nuk mund të mbyllet përfundimisht pa përmbushjen e standardeve në këto fusha.
Ekspertët vlerësojnë se reforma zgjedhore mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit. Pedagogia e Universitetit UDG në Podgoricë, Nikoleta Gjukanoviç, thekson se zgjedhjet e lira dhe demokratike duhet të jenë themeli i të gjitha reformave të tjera, por sipas saj progresi në këtë drejtim ka qenë i kufizuar.
Ndërkohë, ish-presidenti Milo Gjukanoviç e konsideron orientimin euro-atlantik të Malit të Zi si një pikë kthese historike për vendin, duke theksuar largimin nga ndikimi tradicional rus dhe zgjedhjen e një të ardhmeje evropiane.
Mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin mbetet shumë e lartë. Sipas një sondazhi të Komisionit Evropian të realizuar në muajin prill, më shumë se 80 për qind e malazezëve besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ishte pozitiv për vendin.
Të premten, liderët e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Tivatin bregdetar për të diskutuar ecurinë e procesit të integrimit, në një samit që shihet si i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Malit të Zi./mxh
