Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të gjashtë vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor. Kështu ka bërë thirrje të enjten Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Për ne, zgjerimi, përkatësisht në Ballkanin Perëndimor, është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që po bën Bashkimi Evropian”, tha Costa gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Beograd.
Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi kanë kohë që kërkojnë të bashkohen me bllokun, por ende nuk e kanë finalizuar procesin.
“Nesër udhëheqësit evropianë do të diskutojnë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor se si mund ta përmirësojmë metodologjinë tonë për të ecur përpara më shpejt dhe më mirë”, tha Costa, duke theksuar se kjo nuk do të thotë që procesi do të bëhet më i lehtë.
Costa shtoi më tej se për të rritur besimin midis njëri-tjetrit, nuk duhet të ketë një ndjenjë frustrimi nga vendet që po anëtarësohen dhe gjithashtu nga BE-ja.
“Zgjerimi nuk është një utopi, por është diçka që mund të bëhet realitet në vitet e ardhshme. Për këtë duhet të punojmë më shumë dhe më shpejt”, këmbënguli Costa.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në Tivat të Malit të Zi të premten dhe u ofron udhëheqësve një mundësi për të vlerësuar progresin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Presidenti i KE-së, Costa ka zhvilluar një turne në shtetet kandidate të Ballkanit Perëndimor përpara samitit të Tivatit dhe, të enjten, i tha presidentit populist të Serbisë se administrata e tij duhej të nxiste reformën demokratike, ndërkohë që përafronte politikën e saj të jashtme me atë të BE-së.
Beogradi është paralajmëruar tashmë se mund të humbasë rreth 1.5 miliardë euro (1.8 miliardë dollarë) nga fondet e BE-së nëse nuk ndalon prapambetjen demokratike.
Ndërkohë, “përplasjet” midis vetë shteteve kandidate kërcënojnë të eklipsojnë samitin. Të mërkurën, Mali i Zi ndaloi hyrjen në vend të 87 serbëve, duke thënë se ata përbënin kërcënim për sigurinë. Shtetasit serbë kishin mbërritur në Tivat me një fluturim të Air Serbia, ndërsa agjencitë e sigurisë thanë se kishin pajisje komunikimi dhe banderola ku shkruhej “Serbia fiton”.
Pas ndalimit të shtetasve serbë, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) tha se një udhëtim në Mal të Zi përbën një rrezik të lartë sigurie për Vuçiçin për shkak të aktiviteteve armiqësore të shërbimeve sekrete të huaja dhe pranisë së një klani kriminal atje.
Njëzet vjet pas ndarjes nga bashkimi shtetëror me Serbinë, Mali i Zi shihet si një nga kandidatët kryesorë të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, por po lufton korrupsionin së bashku me ndikimin politik të Beogradit./mxh
