Kombet e Bashkuara kanë dyfishuar fondet e kërkuara për të përballuar krizën humanitare në Liban, ndërsa konflikti në vend ka hyrë në muajin e katërt.
Sipas OKB-së, përshkallëzimi i luftimeve gjatë muajve të fundit ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për popullsinë civile. Koordinatori Humanitar i OKB-së në Liban, Imran Riza, deklaroi se komunitetet në të gjithë vendin po përballen me një situatë alarmante, ndërsa numri i viktimave dhe nevojat humanitare po rriten nga dita në ditë.
Në bashkëpunim me qeverinë libaneze, OKB-ja ka nisur një apel të ri për ndihmë financiare, duke kërkuar edhe 331.5 milionë dollarë shtesë. Në total, fondi i nevojshëm për asistencë humanitare arrin në afro 640 milionë dollarë dhe synon të ndihmojë rreth 1.4 milionë persona.
Që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit në mars, autoritetet libaneze raportojnë mbi 3 mijë e 500 të vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa situata ushqimore po përkeqësohet me shpejtësi. Sipas OKB-së, rreth një në katër banorë të Libanit rrezikon të përballet me nivele krize ose emergjence të pasigurisë ushqimore deri në muajin gusht.
Ndërkohë, një armëpushim i ri i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara është përballur me kundërshtime. Hezbollahu ka refuzuar kushtin për t’u tërhequr nga zonat jugore të vendit, ndërsa Izraeli ka deklaruar se nuk do të tërheqë trupat e tij nga territori libanez.
Përplasjet vazhdojnë të mbajnë të lartë tensionin në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjidhje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit./mxh
