Jo të gjitha miqësitë janë si vera e mirë që bëhet më e bukur me kalimin e kohës. Disa thjesht nuk janë të destinuara të zgjasin dhe nuk ka asgjë të keqe. Miqësitë janë zgjedhje, ndaj nuk duhet të ndihesh e detyruar të qëndrosh shoqe me dikë vetëm sepse keni kohë që njiheni. Në një moment, duhet të ndalosh dhe të pyesësh veten nëse kjo shoqëri po të bën të ndihesh më keq apo më mirë.
Nëse po të lë më keq, mund të jesh në një miqësi toksike dhe nuk duhet të kesh frikë ta pranosh këtë të vërtetë me veten. Miqësitë, në fund të fundit, janë si çdo marrëdhënie tjetër: funksionojnë vetëm kur je vërtet e përfshirë. Shoqet e vërteta janë ato që do t’i doje pranë si në ditët e mira, ashtu edhe në ato të vështira. Mos lejo që një shoqe toksike të të ndryshojë mënyrën si e kupton miqësinë.
Një shoqe toksike zakonisht shfaq këto sjellje që të bëjnë të ndihesh më keq, jo më mirë:
1. Të gjykon shumë ashpër
Shoqëria shpesh të bën të dyshosh te vetja edhe pa ndihmën e të tjerëve, ndaj nuk ke nevojë për dikë që ta shtojë këtë ndjesi. Shoqet duhet të të mbështesin dhe të të inkurajojnë, jo të të ulin apo të të bëjnë të ndihesh keq me veten. Nëse ajo flet keq edhe për të tjerat pas shpine, ka shumë gjasa ta bëjë edhe me ty.
2. Gënjen shpesh
Të gjithë gënjejnë ndonjëherë për gjëra të vogla, por ka një ndryshim të madh mes këtyre dhe gënjeshtrave që dëmtojnë vërtet një marrëdhënie. Gënjeshtrat sjellin drama dhe zhgënjim në miqësi. Nuk mund të ndërtosh besim me dikë që nuk është i sinqertë me ty.
3. Të tradhton pas shpine
Një miqësi e mirë ndërtohet mbi besimin dhe besnikërinë. Kur ky besim thyhet, qoftë duke treguar sekretet e tua, duke shkelur “kodin e shoqeve” apo duke u afruar me ish-partnerin tënd, kjo është një shenjë e qartë që marrëdhënia nuk është e shëndetshme.
4. Gjithçka sillet rreth saj
Kur kaloni kohë bashkë, ajo e kthen gjithmonë bisedën te vetja. Edhe kur ti përpiqesh të flasësh për problemet e tua, ajo e ndërpret dhe e kthen te përvojat e saj. Miqësia duhet të jetë e ndërsjellë. Nëse nuk ka interes për jetën tënde, atëherë nuk është një shoqëri e vërtetë.
5. Sillet si “menaxhere” e jetës tënde
Ajo mendon se ka detyrë të të udhëzojë për çdo gjë dhe të të tregojë si duhet të jetosh. Por një shoqe e mirë nuk të kontrollon dhe nuk të gjykon zgjedhjet. Ajo duhet të jetë dikush që të shoqëron në aventura dhe të pranon pa kushte, jo dikush që të dikton jetën.
Miqësitë e shëndetshme të bëjnë të ndihesh më e mbështetur dhe më vetvetja. Nëse ndodh e kundërta, ndoshta është koha të rishikosh lidhjen që ke me atë person./mxh
