Last Updated on 05/06/2026 by EL
Nga Ilir Copja
A lindi sot problemi i pronave në Qarkun e Vlorës? A lindi sot rreziku i zaptimit të pronave në këtë qark nga shqiptarët dhe të huajt? Problemi i pronave në Qarkun e Vlorës është një plagë sociale dhe juridike që zgjat prej më shumë se 35 vitesh – praktikisht që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991 dhe fillimi i tranzicionit në Shqipëri.
Kjo çështje është zvallur aq gjatë sa ka kaluar në disa breza banorësh, duke u kthyer në një nga ngatërresat më të mëdha administrative dhe gjyqësore të vendit.
Zbatimi i Ligjit 7501 (Viti 1991 e në vazhdim) – një plagë e hapur por kurrë e shëruar
Pas vitit 1991, toka bujqësore u nda sipas Ligjit 7501 (për frymë), duke injoruar pronarët e vjetër legjitimë të para vitit 1944. Përgjatë këtyre 35 viteve, zyrat e regjistrimit të pasurive (ish-ZPPR, më pas Hipoteka e sot Kadastra) në Vlorë kanë qenë në qendër të skandaleve të vazhdueshme. Për të njëjtën parcelë toke shpesh janë lëshuar dy, tre apo më shumë certifikata pronësie për njerëz të ndryshëm. Kjo ka çuar në pasoja të rënda dhe të shumëfishta si: gjyqe pafund që zgjasin me nga 10-15 vjet nëpër dyer gjykatash, dorëheqje apo shkarkime masive të drejtorëve të Kadastrës së Vlorës (vetëm brenda pak viteve ndryshuan mbi 10 drejtorë, pasi askush nuk merrte përgjegjësinë të firmoste dosjet e nxehta), konflikte mes banorëve për pronat ku në raste të caktuara janë përdorur edhe armët.
Turizmi – “Gllabëruesi i tokave”
Me rritjen e vlerës së tokës në bregdet për shkak të zhvillimit të turizmit, interesi për këto prona u rrit jashtëzakonisht. Shumë banorë vendas pretendojnë se pronat e tyre të trashëguara janë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara (përfshirë vendime gjyqësore të vjetra apo AMTP të sajuara) nga persona të tretë apo “investitorë strategjikë”, duke i lënë qytetarët pa mundësi për të regjistruar shtëpitë apo trojet e tyre. Edhe pse në vitet e fundit ka pasur procese për dixhitalizimin e Kadastrës (përmes e-Albania) dhe nisma për procese të reja regjistrimi fillestar, me mijëra familje në Vlorë, Sarandë dhe Himarë ende nuk kanë certifikatën e pronësisë për shtëpitë e tyre të vjetra apo për trojet në bregdet.
Pse Zvërneci ngjalli kaq reagim çështja e Zvërnecit, është e vetmja çështje konflikti pronësie dhe investimesh në Qarkun e Vlorës?
Çështja e Zvërnecit ka ngjallur një reagim të madh qytetar dhe politik sepse ka mishëruar reagimin qytetar për mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e pronës dhe kundërshtimin ndaj forcave tradicionale politike. Skenat e dhunës të ushtruar nga policia private ndaj banorëve të zonës zgjoi reagimin publik përtej interesave lokale. Kundërshtimi i projektit shihet si një reagim i akumluar i qytetarëve ndaj klasës politike dhe një përgjigje ndaj situatës së përgjithshme në vend, duke shkuar përtej problemeve të thjeshta të varfërisë apo papunësisë. Kauza ka prekur ndjeshmërinë mjedisore për mbrojtjen e zonës së Nartës, duke bërë që edhe emigrantët shqiptarë jashtë vendit të paralajmërojnë tubime sensibilizuese dhe solidariteti. Ka pasur denoncime publike lidhur me transparencën e projektit, duke ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për grabitje të pronës private apo shtetërore.
Nëse flasim për ndikimet mjedisore, projektet e mëdha infrastrukturore apo çështjet e pronësisë dhe ndërtimeve në zona të mbrojtura ka pasur disa raste të ngjashme dhe mjaft të bujshme. Në brendësi të zonës së mbrojtur të Zvërnec – Nartës po ndërtohet Aeroporti i Vlorës. Ky është rasti më direkt dhe më i afërt gjeografikisht me Zvërnecin. Ky investim ka ngjallur debate masive ndërkombëtare dhe kombëtare nga organizatat e mjedisit, të ngjashme me shqetësimet për ndërhyrjet në ekosistemin delikat të Zvërnecit dhe kalasë apo ishullit të saj.
Ngjashëm me planet apo diskutimet për zhvillimin turistik të Zvërnecit, propozimet e fundit për investime strategjike dhe resorte luksoze në “Sazan” dhe “Karaburun” kanë hapur të njëjtat diskutime: balanca mes zhvillimit ekonomik (turizmit elitar) dhe ruajtjes së identitetit natyror e historik të zonave që konsideroheshin të paprekshme.
Roli i Kushnerit apo investitorëve të tjerë me origjinë apo të lidhur me shtetin e Izraelit ka shërbyer si katalizator i protestës?
Dihet se popullsia shqiptare është në shumicë myslimane dhe përmendja apo përfshirja në investime dhe ndërhyrje kaq delikate të personave me origjinë izraelite nuk shikohet me sy të mirë. Situata aktuale pas sulmit të 7 tetorit dhe sulmeve izraelite ndaj Palestinës dhe Libanit kanë nxitur një fushatë ndërkombëtare për bojkotimin e produkteve e investimeve që vijnë nga ky shtet kanë hedhur rrënjë edhe në Shqipëri. Kjo ka bërë që reagimi të jetë edhe më i fortë dhe i vendosur duke bërë që kryeministri të nxitojë se sqarojë se investitorët në Zvërnec nuk janë izraelitë por nga Katari me shpresën se do të zbehej protesta duke qenë se Katari konsiderohet si vend mysliman. Kjo përpjekje nuk pati rezultat dhe protesta sot u zhvillua jo vetëm në kryeqytet por edhe në Durrës e Shkodër.
Kjo masë protestuesish në shumicën e tyre të rinj e të reja u ka hapur “oreksin” partive opozitare sidomos atyre të krijuara rishtas duke kërkuar të përfshihen dhe të kërkojnë ti diktojnë protestës programin e tyre. Partia në pushtet ka qëllim ti zhvlerësojë, etiketojë, damkosë dhe të depolitizojë protestën në mënyrë që ajo të mbetet vetëm si një protestë në mbrojtje të një “zone të mbrojtur” e jo si një protestë anti-sistem e drejtuar kryesisht kundër qeverisë.
Si përfundim protestat pritet të vazhdojnë dhe së fundmi SPAK-u ka nisur një hetim për çështjet e pronësisë në territorin ku parashikohet të ndërtohet resorti. Hetimi pritet ti japë një zgjidhje shteruese një të drejte themelore, të drejtës së pronës. Investimi i parashikuar pritet ti sjellë zhvillim zonës duke afruar një turizëm elitar e duke krijuar deri në dhjetëmijë vende pune. Problemi qëndron që sipas projektit zona do kthehet në “zonë ekskluzive” ku vetëm ata që do pushojnë në resortin e ndërtuar do mund ta shijojnë bukurinë e natyrës së zonës. Resorti që pritet të ndërtohet do të jetë i një niveli shumë të lartë, a kanë mundësi qytetarët e thjeshtë të kenë mundësi të pushojnë në këtë resort? Mjafton të kujtojmë cili nga ne ka mundësi të pushojë në Green Coast apo resorte të tjera simotra në Shqipëri dhe rajon.
Toka është burrim i jetës dhe i zhvillimit. Privatizimi i një territori me vlera të mëdha mjedisore është një proces shumë delikat sepse përshkon ekuilibra tejet të brishtë. A mund të shërbejë kjo protestë që po synon të shtrihet në të gjithë vendin në pikënisje për ndryshime politike dhe qeverisëse?
