Silikoni i lëngshëm, biopolimerët dhe produktet e paregjistruara mund të shkaktojnë migrim të materialit, granuloma, inflamacion kronik, dëmtime të enëve të gjakut dhe deformime të përhershme
Preparatet e papërshtatshme dhe të pasigurta në mjekësinë estetike, si silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët, mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme. Kur injektohen në fytyrë, sidomos në buzë, faqe apo zona të tjera të ndjeshme, ato mund të shkaktojnë komplikime serioze, disa prej të cilave mbeten të përhershme.
Bëhet fjalë për materiale që nuk shpërbëhen lehtë nga organizmi dhe që, në shumë raste, nuk janë të miratuara për përdorime të tilla estetike. Për këtë arsye, specialistët i konsiderojnë si një lloj “bombe me sahat” në trup. Pasojat mund të shfaqen menjëherë, por edhe pas disa muajsh apo vitesh, duke lënë deformime, nyje të forta, dhimbje, inflamacion dhe shenja të dukshme në fytyrë.
Sipas U.S. Food and Drug Administration, rreziku më serioz i fillerëve dermalë është injektimi i paqëllimshëm në enë gjaku. Në raste të tilla mund të bllokohet qarkullimi, të zvogëlohet furnizimi i indeve me gjak dhe të shfaqet nekroza, pra vdekja e indit. Në raste të rralla, por shumë serioze, janë raportuar edhe dëmtime të shikimit, verbëri dhe goditje në tru.
Pse janë të rrezikshme preparatet e pasigurta?
Silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët mund të lëvizin nëpër inde. Kjo do të thotë se materiali i injektuar në buzë, me kalimin e kohës, mund të përfundojë në mjekër, në faqe apo në zona të tjera të fytyrës. Graviteti, lëvizjet e muskujve dhe mimika e përditshme mund ta shtyjnë materialin nga vendi ku është injektuar fillimisht, duke krijuar asimetri dhe deformime.
Organizmi, nga ana tjetër, i njeh këto substanca si të huaja. Meqë nuk mund t’i shpërbëjë, ai përpiqet t’i izolojë duke krijuar granuloma, që janë nyje të forta dhe të ngritura nën lëkurë. Këto nyje mund të jenë të dhimbshme, të skuqura, të dukshme dhe shpesh shfaqen shumë kohë pas ndërhyrjes.
Preparatet e pasigurta, por edhe injektimi nga persona të pa kualifikuar, mund të shkaktojnë inflamacion të vazhdueshëm në fytyrë, infeksione që përsëriten dhe reaksione që vështirë qetësohen. Nëse preparati futet në enë gjaku ose krijon presion të madh mbi indet përreth, mund të ndërpritet qarkullimi, gjë që çon në nekrozë. Pasojat e nekrozës mund të jenë plagë, shenja të përhershme dhe defekte të dukshme në fytyrë, transmeton Telegrafi.
Dallimi mes acidit hialuronik dhe materialeve të përhershme
Fillerët me acid hialuronik, kur përdoren në mënyrë profesionale dhe me produkte të certifikuara, kanë një avantazh të rëndësishëm: në raste të caktuara mund të shpërbëhen me enzimën hialuronidazë. Kjo nuk do të thotë se janë pa rrezik, por nëse shfaqet ndonjë problem, mjeku ka mundësi të ndërhyjë më shpejt.
Ndryshe ndodh me silikonin dhe biopolimerët. Këto materiale nuk “shkrihen” dhe nuk largohen lehtë nga organizmi. Shpesh, mënyra e vetme për t’i hequr është ndërhyrja kirurgjikale. Edhe atëherë, kirurgu nuk mund ta largojë gjithmonë të gjithë materialin, sepse ai mund të shpërndahet nëpër muskuj dhe inde të shëndosha si rrjetë e hollë.
Pacienti duhet ta shohë preparatin para përdorimit
Në mjekësinë estetike ka preparate që përdoren gjerësisht dhe në mënyrë të sigurt, si fillerët me acid hialuronik, toksina botulinike e tipit A dhe biostimulatorët, por vetëm kur aplikohen nga mjekë të trajnuar, me produkte të regjistruara dhe me teknikë të saktë.
Pacienti duhet ta dijë çfarë po i injektohet në fytyrë. Para ndërhyrjes, mjeku duhet ta hapë preparatin para pacientit, të tregojë ambalazhin, emrin e produktit, afatin e përdorimit dhe numrin serik. Çdo preparat cilësor ka etiketë dhe të dhëna identifikuese, të cilat duhet të ruhen në dokumentacionin mjekësor.
American Academy of Dermatology thekson se efektet serioze anësore janë më të mundshme kur fillerët injektohen nga persona pa përgatitje të mjaftueshme mjekësore ose në ambiente jo mjekësore, si sallone, hapësira private apo vende të pakontrolluara. Prandaj, fillerët nuk duhet të trajtohen si një shërbim i thjeshtë kozmetik, por si procedurë mjekësore.
Teknika e injektimit është po aq e rëndësishme sa preparati
Edhe një produkt cilësor mund të shkaktojë komplikime nëse injektohet gabimisht. Mjeku që kryen procedurën duhet ta njohë shumë mirë anatominë e fytyrës, rrjedhën e enëve të gjakut, thellësinë e injektimit, sasinë e preparatit dhe mënyrën se si sillet materiali në inde.
Komplikimet nuk janë të pamundura në mjekësi. Ato mund të ndodhin edhe kur procedura kryhet nga profesionistë. Por dallimi i madh është se një mjek i trajnuar di t’i njohë shenjat e para të rrezikut dhe të reagojë në kohë. Dhimbja e fortë gjatë ose pas injektimit, zbardhja, nxirja apo ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, çrregullimet e shikimit dhe mpirja janë shenja që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor.
Problemi bëhet shumë më i madh kur procedurat kryhen nga persona që kanë ndjekur vetëm kurse të shkurtra dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme mjekësore. Nëse komplikimi nuk njihet dhe nuk trajtohet me kohë, dëmtimi i indeve mund të mbetet i përhershëm.
Çfarë mund të shkaktojnë produktet e pasigurta në fytyrë?
Produktet e pasigurta që injektohen në fytyrë mund të shkaktojnë asimetri, deformim të buzëve, nyje të forta, inflamacion kronik, infeksione, dhimbje, skuqje, migrim të materialit dhe dëmtime të indeve. Në rastet më të rënda mund të shfaqet nekroza, e cila lë shenja dhe defekte të përhershme.
Kjo ndodh sidomos me silikonin dhe biopolimerët. Këto produkte janë përdorur shumë në të kaluarën, por fatkeqësisht ende përdoren në disa vende, madje ndonjëherë pa i treguar pacientit se çfarë po injektohet. Pas disa vitesh, te pacientët mund të shfaqen ndryshime të mëdha në buzë dhe fytyrë, granuloma dhe probleme që shpesh nuk mund të zgjidhen pa kirurgji.
Prandaj këshilla kryesore është e thjeshtë: zgjidhni mjekun me kujdes, kërkoni informacion për preparatin, mos pranoni produkte të hapura më parë ose pa etiketë, mos u trajtoni në ambiente jo mjekësore dhe mos e vendosni çmimin para sigurisë. Në fytyrë nuk injektohet vetëm një produkt estetik, por një substancë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin dhe pamjen tuaj për shumë vite. /ET

