Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka kërkuar një hetim të plotë pas mungesës së fletëve të votimit që shkaktoi ndërprerje në zgjedhjet lokale të javës së kaluar.
Në një postim në platformën X, presidenti tha se incidenti ka penguar ushtrimin e së drejtës së qytetarëve për të votuar dhe e cilësoi situatën si një problem serioz që ka dëmtuar besimin publik në procesin zgjedhor.
“Si qytetar dhe si president përgjegjës për qeverinë, shpreh keqardhje të thellë,” u shpreh ai, duke kërkuar gjithashtu që Parlamenti të nisë një hetim parlamentar për të sqaruar rrethanat dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.
Autoritetet zgjedhore të Koresë së Jugut njoftuan se në 50 nga 14,300 qendra votimi u raportua mungesë e fletëve të votimit, ndërsa në 22 qendra procesi u pezullua përkohësisht për shkak të vonesave në furnizim.
Pas incidentit, kreu i Komisionit Kombëtar të Zgjedhjeve dha dorëheqjen, ndërsa mijëra qytetarë protestuan në Seul duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në disa zona.
Presidenti Lee ka kërkuar që përveç hetimit parlamentar, në proces të përfshihen edhe prokuroria dhe policia, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Ndërkohë, Partia Demokratike fitoi shumicën e garave lokale, ndërsa opozita ruajti postin e kryebashkiakut të Seulit me rizgjedhjen e Oh Se-hoon./mxh
