Kryeministri britanik Sir Keir Starmer do të presë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Downing Street gjatë ditës së sotme, në një takim ku do të marrin pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.
Bisedimet pritet të fokusohen në mbështetjen evropiane për Ukrainën, në një kohë kur lufta me Rusinë vijon dhe situata e sigurisë mbetet e tensionuar.
Para takimit, zyrtarët ukrainas raportuan se një dron rus kishte goditur një depo për karburant bërthamor të përdorur pranë centralit bërthamor të Çernobilit, në veri të Ukrainës.
Autoritetet thanë se zjarri u shua dhe nuk pati të lënduar, ndërsa nivelet e rrezatimit mbetën të qëndrueshme. Presidenti Zelensky e cilësoi sulmin si të qëllimshëm dhe “të neveritshëm”.
Ndërkohë, të paktën tre persona humbën jetën nga një sulm rus në një fshat pranë Zaporizhzhias në juglindje të vendit, ku sulmet janë intensifikuar ditët e fundit.
Sipas kompanisë shtetërore ukrainase të energjisë bërthamore Enerhoatom, sulmi në Çernobil ka dëmtuar pjesërisht një ndërtesë të magazinimit të karburantit të përdorur bërthamor, por pa shkaktuar rrezik për rritje të rrezatimit.
Zelensky deklaroi se Rusia ka kryer sulme në 13 rajone të Ukrainës gjatë natës, duke përdorur dhjetëra raketa, mijëra dronë dhe bomba të drejtuara gjatë javës së fundit.
Nga ana tjetër, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj territorit rus, përfshirë edhe zonën e Shën Petersburgut, duke goditur objekte pranë një forumi ekonomik ku ndodhej presidenti Vladimir Putin.
Lufta që ka nisur prej katër vitesh ka shtyrë Ukrainën të zhvillojë industrinë e saj të mbrojtjes, duke rritur aftësinë për të goditur objektiva brenda territorit rus.
Takimi në Londër vjen në kuadër të “koalicionit të vullnetit”, ku Britania dhe Franca luajnë rol udhëheqës për garancitë e sigurisë së Ukrainës në një proces të mundshëm paqeje./mxh
