Last Updated on 08/06/2026 by EL
Teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli konsorciumin fituesin për segmentin rrugor Milot – Balldren, dokumentet shoqëruese të procedurës japin detaje mbi projektin që pritet t’i japë zgjidhje trafikut që krijohet në afërsi të Lezhës, sidomos gjatë sezonit turistik.
Ky aks do të ketë një gjatësi prej rreth 17 km dhe do të ndërtohet sipas standardeve të autostradës së kategorisë A, me dy karrexhata, nga dy korsi qarkullimi për secilin drejtim dhe korsi emergjence. Projekti përfshin gjithashtu ura, nyje lidhëse, rrugë shërbimi, sisteme inteligjente monitorimi të trafikut dhe infrastrukturën e tarifimit.
Një nga veprat më të rëndësishme të projektit është ndërtimi i një tuneli me dy tuba, i cili do të mundësojë anashkalimin e qytetit të Lezhës. Sipas karakteristikave teknike të publikuara në dokumentacion, secili tub i tunelit do të ketë një gjatësi prej 850 metrash. Tuneli është pjesë e segmentit të ri që do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, ku aktualisht nuk ekziston infrastrukturë rrugore.
Dokumentet argumentojnë se rruga ekzistuese që lidh Milotin me Balldrenin kalon përmes qytetit të Lezhës dhe përballet me mbingarkesa të shpeshta, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur rritet ndjeshëm fluksi i automjeteve drejt zonave turistike të Shëngjinit, Tales dhe Velipojës. Përmes ndërtimit të aksit të ri synohet rritja e kapacitetit të qarkullimit, ulja e kohës së udhëtimit dhe përmirësimi i sigurisë rrugore.
Projekti parashikon gjithashtu një rrugë alternative pa pagesë, e cila duhet të vendoset në afërsi të autostradës, në mënyrë që përdoruesit të kenë mundësi zgjedhjeje edhe në rastin e një aksi me tarifë.
Ky segment rrugor është një prej hallkave kryesore të Korridorit Adriatiko-Jonian në territorin shqiptar. Projekti, me një vlerë të vlerësuar prej gati 365 mln euro pa TVSH, do të financohet nga sektori privat dhe parashikon projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit për një periudhë 35-vjeçare. Fitues i koncesionit është shpallur konsorciumi I përbërë nga 4 kompani e më specifikisht Salillari, ALB TIEFBAU” sh.p.k., “ERALD-G” sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k./et
