Ka njerëz që qajnë për një video të shkurtër në Instagram, por disa të tjerë, edhe kur janë shumë të trishtuar, nuk qajnë dot.
Dhe jo, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë të ftohtë, të pandjeshëm apo “më të fortë”. Sipas ekspertëve, pamundësia për të qarë mund të lidhet me shumë arsye: depresionin, traumën, mënyrën si jemi rritur, disa ilaçe, gjendje të caktuara shëndetësore ose pritshmëritë sociale.
Pra, nëse keni menduar ndonjëherë “pse nuk qaj dot, edhe pse ndihem shumë keq?”, përgjigjja mund të jetë më komplekse nga sa duket.
Ndonjëherë arsyeja është fizike
Ka raste kur problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me emocionet, por me trupin. Disa gjendje shëndetësore, si sindroma e syrit të thatë, ndryshimet hormonale, diabeti, problemet me tiroiden apo disa ndërhyrje kirurgjikale në sy mund ta bëjnë më të vështirë prodhimin e lotëve.
Edhe disa ilaçe mund të ndikojnë. Antidepresivët, për shembull, mund të shkaktojnë te disa njerëz një lloj “mpirjeje emocionale”, ku emocionet nuk përjetohen me të njëjtin intensitet. Kjo nuk do të thotë që personi nuk ndien, por që mënyra si shprehen emocionet mund të ndryshojë.
Depresioni nuk ka gjithmonë lot
Kur mendojmë për depresionin, shpesh imagjinojmë dikë që qan vazhdimisht, por jo gjithmonë është kështu. Te disa njerëz, depresioni shfaqet më shumë si boshllëk, lodhje emocionale, mungesë interesi apo ndjesi mpirjeje. Në këto raste, edhe pse personi mund të jetë i trishtuar, nuk qan.
Kjo është arsyeja pse ekspertët theksojnë se mungesa e lotëve nuk duhet ngatërruar me mungesë dhimbjeje.
Ndoshta keni mësuar të mos qani
Për disa njerëz, të mos qash është diçka e mësuar. Nëse jeni rritur duke dëgjuar fraza si “mos qaj”, “bëhu i/e fortë” apo “djemtë nuk qajnë”, mund të keni mësuar ta shtypni emocionin para se të dalë në sipërfaqe.
Me kalimin e kohës, kjo bëhet automatike. Trupi dhe mendja mësohen të mbajnë gjithçka brenda, edhe kur ka nevojë për çlirim.
Trauma mund t’i mpijë emocionet
Për njerëzit që kanë kaluar trauma të forta ose forma abuzimi, mospërjetimi i plotë i emocioneve mund të ketë qenë një mënyrë mbijetese.
Kur dhimbja është shumë e fortë, truri ndonjëherë e “fik” një pjesë të reagimit emocional për ta mbrojtur personin. Kjo mund të ndihmojë përkohësisht, por më vonë mund ta bëjë më të vështirë lidhjen me emocionet, përfshirë edhe të qarën.
Pse kemi nevojë të qajmë?
Të qash nuk është dobësi. Përkundrazi, mund të jetë një mënyrë e shëndetshme për të përpunuar emocione të forta. Lotët mund të ndihmojnë në uljen e stresit, në lehtësimin e dhimbjes emocionale dhe në komunikimin e asaj që ndiejmë kur fjalët nuk mjaftojnë.
Ndonjëherë, të qash nuk e zgjidh problemin, por e bën peshën pak më të lehtë.
Çfarë mund të bëni nëse doni të qani, por nuk mundeni?
Së pari, mos e detyroni veten. Jo të gjithë e përjetojnë trishtimin në të njëjtën mënyrë dhe jo çdo emocion duhet të shoqërohet me lot.
Por nëse ndiheni të bllokuar emocionalisht, mund të ndihmojë të gjeni një hapësirë të sigurt ku të jeni vetëm. Mund të flisni me dikë të besuar, të shkruani çfarë ndieni ose të kërkoni ndihmën e një terapisti.
Terapia mund të ndihmojë sidomos kur pamundësia për të qarë lidhet me trauma, depresion, shtypje emocionesh ose vështirësi për të kuptuar atë që po ndodh brenda jush.
Pra, nuk ka asgjë “të gabuar” me ju nëse nuk qani dot. Disa njerëz qajnë shpesh, disa rrallë, disa pothuajse kurrë. Por nëse mungesa e lotëve vjen bashkë me ndjesinë se jeni të mpirë, të shkëputur nga vetja ose po mbani shumë gjëra brenda, problemi nuk është se nuk po qan, por se po mbani shumë brenda./mxh
