Nga Leonard Veizi
Në korrikun e vitit 1717, mbreti i Prusisë, Frederik Vilhelmi I, mori një vendim që do të ndryshonte historinë moderne: arsimi u bë i detyrueshëm për çdo fëmijë të moshës 5–12 vjeç.
Në pamje të parë, duket si një akt vizionar në emër të dijes. Në thelb, ishte një llogari e ftohtë shtetërore. Prusia nuk kishte nevojë për filozofë, por për nëpunës që nuk gabonin, për qytetarë të disiplinuar dhe për ushtarë që zbatonin urdhrin. Arsimi u pa si arma më efikase për të ndërtuar shtetin.
Historiani Xheroum Blum, në veprën e tij European World: A History – botuar në vitin 1970, – e përshkruan Frederikun si një njeri plot kontradikta – nevrik, vulgar dhe i papërmbajtur. E megjithatë, e quan reformatorin më të madh të kohës së tij, themeluesin e vërtetë të efikasitetit burokratik dhe militarizmit prusian. Është një kujtesë e pakëndshme: historinë nuk e bëjnë gjithmonë idealistët, por shpesh udhëheqësit që kuptojnë se arsimi është institucioni që ndryshon fatin e një kombi.
Dhe këtu fillon paradoksi i madh.
Arsimi, i krijuar për t’i shërbyer shtetit, përfundoi duke fuqizuar qytetarin. Shkolla nuk prodhoi vetëm ushtarë më të bindur dhe administratorë më të zotë. Ajo prodhoi njerëz që mësuan të lexojnë, të arsyetojnë, të pyesin dhe, përfundimisht, të sfidojnë vetë pushtetin që i kishte ulur në bankat e shkollës. Në atë çast, arsimi e tejkaloi misionin që i kishte caktuar politika.
Ky është mësimi që ne sot e harrojmë çdo ditë.
Ende e trajtojmë arsimin si një zë buxheti, si numër diplomash të shpërndara apo si numër shkollash të inauguruara. Shumë rrallë e shohim siç është në të vërtetë: themeli i zhvillimit kombëtar.
Nuk ka ekonomi konkurruese pa shkolla cilësore. Nuk ka administratë profesionale pa mësimdhënie serioze. Nuk ka demokraci funksionale pa qytetarë të arsimuar.
Shoqëritë që e kanë kuptuar këtë investojnë te mësuesit, te kërkimi shkencor dhe te cilësia e arsimit. Shoqëritë që nuk e kuptojnë, lyejnë fasadën, ndërsa lënë të kalbet përmbajtja. Dhe kur arsimi bie, pasojat nuk shihen sot. Shihen pas një brezi – në ekonomi, në drejtësi, në politikë dhe në mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin në rrugë.
Paradoksi i vitit 1717 është më aktual se kurrë në shekullin XXI. Një mbret autoritar e kuptoi se nuk ndërtohet dot një shtet i fortë pa arsim. Ne sot, që flasim për ekonomi të dijes, inteligjencë artificiale dhe konkurrencë globale, sillemi shpesh sikur arsimi është një sektor si të tjerët, e jo baza mbi të cilën mbështetet gjithçka tjetër.
Historia na e ka dhënë tashmë mësimin: cilësia e një kombi nuk matet nga pasuria që ka sot, por nga arsimi që u jep fëmijëve të tij.
Sepse ndërtesat shemben, rrugët prishen dhe qeveritë vijnë e ikin. I vetmi investim që vazhdon të japë fryte edhe kur brezi që e nisi nuk është më, mbetet arsimi.
