Humbja e kilogramëve të tepërt dhe ruajtja e peshës së re është një arritje e jashtëzakonshme. Por kjo mund të mos sjellë menjëherë të gjitha përfitimet që shpesh i atribuohen humbjes së peshës në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, shkruan slute.eu.
Një studim i ri ka treguar se rreziku për t’u prekur nga sëmundjet e lidhura me obezitetin mund të mos zhduket menjëherë pas humbjes së kilogramëve. Mund të duhen shumë vite, madje 5 deri në 10 vjet.
Arsyeja është se qelizat imunitare të gjakut CD4+, të njohura si limfocitet T helper, ruajnë një “kujtesë” të obezitetit të shkruar në ADN në nivel epigjenetik.
Kjo kujtesë është shumë e qëndrueshme dhe mund të vazhdojë deri në dhjetë vjet pas dobësimit.
Si pasojë, rreziku për sëmundje si diabeti i tipit 2, sëmundjet autoimune dhe disa lloje kanceri mund të mbetet i lartë për një kohë të gjatë edhe pas humbjes së peshës.
Studimi, i cili zgjati 10 vjet dhe u zhvillua nga një grup studiuesish evropianë të udhëhequr nga Universiteti i Birminghamit, u publikua në revistën shkencore Embo Reports.
Ai përfshiu pjesëmarrës në një studim me ilaçin GLP-1 semaglutide (12 pacientë), një program aktiviteti fizik që zgjati dhjetë javë (27 persona), pacientë me një sëmundje të rrallë gjenetike që shkakton obezitet në fëmijëri (sindroma Alström; 10 pacientë), si dhe minj laboratorikë të ushqyer me dieta të pasura me yndyra të ngopura, të cilët më pas iu nënshtruan një regjimi normal ushqimor dhe humbën yndyrën abdominale dhe nënlëkurore./mxh
