Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian deklaroi sot se vendi i tij, nuk do të tërhiqet përballë asnjë kërcënimi, duke theksuar se Teherani nuk ka braktisur as fushën e veprimit dhe as tryezën e negociatave, raportoi BBC.
Në një postim në rrjetin social X, Pezeshkian tha se prioriteti kryesor i Iranit mbetet, siguria kombëtare dhe paqja e popullit, ndërsa paralajmëroi se vendi do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij përballë çdo presioni.
Deklarata e presidentit erdhi pasi komanda e lartë ushtarake iraniane, Selia Qendrore Khatam al-Anbiya, njoftoi përfundimin e operacioneve aktuale kundër Izraelit, por paralajmëroi se do të përgjigjet “më ashpër dhe më fuqishëm se më parë” nëse sulmet do të vazhdojnë.
Irani shpall fundin e sulmeve aktuale
Selia Khatam al-Anbiya bëri të ditur se operacionet e tanishme ushtarake kundër Izraelit kanë përfunduar, pas një seri shkëmbimesh zjarri mes dy vendeve.
Megjithatë, autoritetet iraniane paralajmëruan se çdo sulm i mëtejshëm izraelit, përfshirë në Libanin jugor, do të përballet me një kundërpërgjigje më të fortë.
Tensionet u përshkallëzuan gjatë natës së kaluar dhe sot, pasi Irani njoftoi nisjen e operacioneve ushtarake, në përgjigje të sulmeve të djeshme ajrore izraelite ndaj Bejrutit.
Ndërkohë, lëvizja “Hezbollah” deklaroi se kishte lëshuar raketa ndaj një grupi ushtarësh izraelitë në Libanin jugor, ku ushtria izraelite po zhvillon operacione tokësore, me qëllim ndalimin e sulmeve me raketa drejt veriut të Izraelit.
Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) pretendoi se kishte goditur me raketa një kompleks petrokimik në veri të Izraelit, pasi ushtria izraelite njoftoi sulme ndaj disa objektivave në një strukturë petrokimike iraniane.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan gjithashtu se kishin përfunduar një operacion në shkallë të gjerë, kundër sistemeve strategjike të mbrojtjes në Iran, ndërsa media iraniane raportoi se IRGC-ja kishte në shënjestër dy baza ajrore izraelite.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përgjegjësi në atë që e quajti agresion izraelit, duke paralajmëruar se pasojat e përshkallëzimit të tensioneve, do të prekin edhe Uashingtonin.
Ai shtoi se shkëmbimi i mesazheve mes Iranit dhe SHBA-së nuk është ndërprerë, por pa sqaruar nëse kontaktet kanë vazhduar edhe gjatë zhvillimeve të fundit.
Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Izraeli dhe Irani po shqyrtojnë mundësinë e një “armëpushimi të menjëhershëm”, duke bërë thirrje që palët të ndalin menjëherë shkëmbimin e sulmeve./mxh
