Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në krizën e Lindjes së Mesme, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe t’i japin përparësi diplomacisë, në një moment kur, sipas tij, arritja e një zgjidhjeje paqësore duket më afër se kurrë, raportoi BBC.
Deklarata e Sharif vjen pasi ushtria iraniane njoftoi se do të ndalonte sulmet ndaj Izraelit, duke paralajmëruar njëkohësisht se do të reagonte më ashpër nëse Izraeli do të vazhdonte operacionet ushtarake kundër Libanit.
Ndërkohë, mediet izraelite raportuan se edhe Izraeli pritet të pezullojë sulmet ndaj Iranit, pas një kërkese të presidentit amerikan Donald Trump.
“Përshkallëzimi i fundit i dhunës në Lindjen e Mesme është një kujtesë e fortë për rreziqet, që sjell një armëpushim i brishtë dhe për pasojat e rënda që mund të ketë dështimi i tij”, shkroi Sharif në platformën X.
“Ndërsa po punojmë intensivisht, së bashku me vendet mike dhe partnerët tanë, për të arritur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, dhe veçanërisht kur objektivi përfundimtar duket pranë, ne i nxisim sinqerisht të gjitha palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’i japin paqes një mundësi reale”, theksoi ai.
Pakistani ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësues mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Raundi i fundit i bisedimeve mes delegacioneve iraniane dhe amerikane, i ndërmjetësuar nga Islamabadi, u zhvillua më 11-12 prill në kryeqytetin pakistanez.
Megjithëse ishte planifikuar një raund i ri negociatash më vonë gjatë muajit prill, takimi nuk u realizua.
Megjithatë, Pakistani vijon përpjekjet diplomatike, për të nxitur dialogun dhe uljen e tensioneve në rajon./mxh
