Last Updated on 09/06/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, të cilët kanë ardhur në Tiranë nisur nga interesi i madh ndërkombëtar që ka zgjuar protesta qytetare, e nisur fillimisht për Zvërnecin.
“Përse nuk e mbani Zvërnecin, ashtu, special?”, ishte pyetja që një gazetare e huaj i drejtoi kryeministrit, për të theksuar se jo detyrimisht mund të jepet leje për resort në atë zonë.
Përgjigja e Edi Ramës ishte se tashmë Shqipëria ka nevojë për turizëm elitar, jo për turizmin masiv që është zhvilluar vitet e fundit, sepse ai nuk sjell të ardhura dhe efekti negativ në mjedis është shumë më i madh se përfitimet.
“Shihni Malin e Zi, shihni Malin e Zi. Ata nuk kanë bujqësi dhe shumë nga malazezët atë që konsumojnë e marrin nga Shqipëria. Ata nuk kanë fabrika, nuk kanë asgjë përveç turizmit. Prej vitesh ata kanë pagat dhe pensionet më të larta në rajon. Sepse e sollën turizmin në nivelin e turizmit të luksit.
Turizmi luksoz është ai që e mbron një vend nga ajo çfarë mund t’i shkaktojë turizmi masiv. Por nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë, na duhet turizëm luksoz për të ndryshuar shkallën e të ardhurave dhe për të ulur trysninë që turizmi ka mbi mjedisin”, u shpreh ai./ET
