Fitorja e partisë në pushtet në Armeni pritet të sjellë një rikalibrim të marrëdhënieve të vendit me Rusinë, ndërsa kursi i afrimit me Bashkimin Evropian do të vazhdojë në afatgjatë.
Sipas analistit Richard Giragosian, drejtues i Qendrës së Studimeve Rajonale në Jerevan, rezultati i zgjedhjeve parlamentare ishte më i mirë se sa parashikonin sondazhet për partinë e kryeministrit Nikol Pashinyan. Megjithatë, ai thekson se suksesi i qeverisë lidhet më shumë me dobësinë e opozitës sesa me rritjen e mbështetjes popullore.
Partia “Kontrata Civile” e Pashinyanit siguroi rreth 50 për qind të votave, duke garantuar shumicën parlamentare. Ndërkohë, dy forcat kryesore opozitare pro-ruse arritën të hyjnë në parlament, por mbeten të përçara dhe pa një alternativë të qartë politike.
Analistët nuk presin protesta apo kundërshtime të mëdha pas zgjedhjeve, pasi opozita vazhdon të jetë e fragmentuar dhe e paaftë për të ndërtuar një front të përbashkët kundër qeverisë.
Ekspertët vlerësojnë se Jerevani do të kërkojë të përmirësojë raportet me Moskën, duke zbutur retorikën pro-evropiane të përdorur gjatë fushatës zgjedhore. Në këmbim, Rusia pritet të lehtësojë kufizimet tregtare të vendosura ndaj eksporteve armene.
Megjithatë, afrimi me Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik për Armeninë. Sipas Giragosian, marrëdhëniet me BE-në do të vazhdojnë të thellohen, edhe pse anëtarësimi i plotë shihet si një perspektivë afatgjatë dhe jo realiste në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, qytetarët armenë shfaqin qëndrime të ndryshme për rezultatin e zgjedhjeve dhe të ardhmen e vendit. Disa shprehen optimistë për zhvillimet e ardhshme, ndërsa të tjerë kërkojnë ndryshim politik dhe vënë në dyshim procesin zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare në Armeni u konsideruan një test i rëndësishëm për qeverinë e Nikol Pashinyanit, veçanërisht në lidhje me marrëveshjen e paqes me Azerbajxhanin dhe orientimin e politikës së jashtme mes Perëndimit dhe Rusisë./mxh
