Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fushat politike, ekonomike dhe kulturore gjatë samitit të zhvilluar në Phenian, sipas Reuters.
Presidenti Xi, në vizitën e tij të parë në Korenë e Veriut pas shtatë vitesh, shprehu gatishmërinë për të çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa të dy liderët u zotuan të forcojnë komunikimin strategjik përmes shkëmbimeve më të shpeshta të delegacioneve dhe zyrtarëve të lartë, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve KCNA
Presidenti Kim Jong Un rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Phenianit për parimin e “Një Kine”, duke deklaruar se Koreja e Veriut do të qëndrojë në krah të Pekinit pavarësisht ndryshimeve në situatën ndërkombëtare.
Analistët vlerësojnë se ky qëndrim përbën një sinjal të qartë solidariteti politik mes dy aleatëve tradicionalë, veçanërisht në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Kinës dhe Perëndimit lidhur me çështjen e Taiwan.
Nga ana tjetër, mediat kineze vunë theksin te bashkëpunimi praktik në tregti, bujqësi, transport dhe turizëm, duke treguar interesin e Pekinit për forcimin e lidhjeve ekonomike me vendin fqinj.
Megjithatë, mënyra se si u pasqyrua samiti nga mediat e të dy vendeve nxori në pah edhe disa dallime në prioritete. Ndërsa Kina theksoi projektet konkrete të bashkëpunimit dhe shkëmbimet shtetërore, Koreja e Veriut u përqendrua te karakteri “i barabartë” i marrëdhënies dhe te rëndësia historike e miqësisë mes dy vendeve.
Sipas ekspertëve, Pheniani kërkon të shmangë perceptimin se varet nga Kina, duke e paraqitur veten si partner me peshë të barabartë në raport me fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në botë.
Gjatë vizitës, Xi dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, morën pjesë në një koncert me këngë patriotike kineze dhe koreanoveriore së bashku me Kim Jong Un dhe bashkëshorten e tij, Ri Sol Ju.
Presideinti Kim organizoi gjithashtu një banket shtetëror për delegacionin kinez, ku Xi deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një “pikënisje të re historike”, në prag të 65-vjetorit të traktatit të miqësisë mes Kinës dhe Koresë së Veriut.
Vëmendje të veçantë tërhoqi mungesa e çdo reference zyrtare ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut ose marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithëse presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar bisedimet me Kim Jong Un, ekspertët besojnë se Pekini ka më shumë interes të ruajë stabilitetin rajonal dhe të forcojë ndikimin e vet në gadishullin korean sesa të luajë rolin e ndërmjetësit në negociatat mes Uashingtonit dhe Phenianit.
Kina mbetet partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut dhe shumë analistë mendojnë se zgjerimi i tregtisë dhe turizmit ishte ndër temat kryesore të vizitës së Xi Jinping në Phenian./mxh
