Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se autoritetet do të garantojnë një ceremoni hapëse të qetë dhe të sigurt të Kupës së Botës këtë javë, pavarësisht shqetësimeve të shkaktuara nga protestat që vazhdojnë në kryeqytet.
Një sindikatë e mësuesve ka kërcënuar se do të organizojë protesta gjatë ndeshjes hapëse të së enjtes mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në Meksi Siti, nëse qeveria nuk i përgjigjet kërkesave për rritje pagash dhe reforma të sistemit të pensioneve.
“Ne do të garantojmë që festa e Kupës së Botës të zhvillohet në paqe dhe qetësi”, tha Sheinbaum gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp.
Javën e kaluar, policia shpërndau protestuesit me gaz lotsjellës dhe plumba gome pranë sheshit historik Zocalo, ku autoritetet kanë ngritur një ekran gjigant për tifozët e Kupës së Botës. Zonat përreth sheshit mbeten të bllokuara me barriera metalike, të cilat presidentja tha se janë vendosur për të parandaluar “provokimet”.
Mësuesit protestues rrëzuan gjithashtu disa statuja përkujtimore të futbollistëve në qendër të qytetit javën e kaluar. Edhe pse qeveria ka mbajtur dialog të hapur me sindikatën, protestuesit i kanë konsideruar të pamjaftueshme propozimet e ofruara deri tani.
Protestave u janë bashkuar edhe qindra studentë dhe aktivistë nga Kolegji i Mësuesve Ayotzinapa, të cilët kërkojnë hetime të mëtejshme për zhdukjen e 43 studentëve të kësaj shkolle në vitin 2014, një nga rastet më të njohura dhe më të diskutueshme në historinë moderne të Meksikës.
Ndërkohë, kampet e ngritura nga mësuesit në qendër të qytetit kanë shkaktuar pakënaqësi te bizneset lokale, të cilat druhen se turistët do të shmangin zonën gjatë Kupës së Botës. Kamerieri Jonathan Herrera tha se hyrja në restorantin ku punon është bllokuar dhe se shumë vizitorë po largohen të shqetësuar nga situata.
Megjithatë, disa turistë kanë shprehur mbështetje për protestuesit. Vizitorja amerikane Heather Lutz deklaroi se ngjarje të mëdha si Kupa e Botës shpesh përdoren nga qeveritë për të paraqitur një imazh të kontrolluar të qytetit, ndërsa protestuesit e shohin turneun si një mundësi për të rritur presionin ndaj autoriteteve./mxh
