Parashikimet për një mungesë të theksuar furnizimi me naftë gjatë verës nuk janë materializuar, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së ngushticës së Hormuzit, një prej arterieve më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës. Në vend të një shpërthimi të çmimeve, tregu ka treguar një qëndrueshmëri të papritur.
Në muajt e fundit, shumë analistë kishin paralajmëruar se ndërprerja e flukseve të naftës nga Gjiri Persik, e kombinuar me kërkesën e lartë sezonale të verës, mund të çonte në mungesa të mëdha dhe çmime mbi 100 dollarë për fuçi.
Megjithatë, çmimi i naftës Brent ka mbetur nën këtë nivel, duke luhatur rreth 90-95 dollarë për fuçi. Një nga arsyet kryesore është rënia e fortë e importeve të naftës nga Kina.
Sipas vlerësimeve, importet kineze kanë rënë me rreth 5-6 milionë fuçi në ditë, duke zbutur ndjeshëm presionin mbi tregjet globale dhe duke lënë më shumë furnizime të disponueshme për konsumatorët e tjerë, veçanërisht në Azi.
Një faktor tjetër ka qenë përdorimi intensiv i rezervave strategjike dhe komerciale të naftës. Vendet e zhvilluara dhe kompanitë energjetike kanë nxjerrë në treg sasi të mëdha nga rezervat për të kompensuar mungesat e furnizimit.
Kjo ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të çmimeve, por analistët paralajmërojnë se ky është një zgjidhje e përkohshme.
Sipas ekspertëve, qetësia aktuale mund të jetë mashtruese. Inventarët globalë po bien me ritme të shpejta dhe rezervat po afrohen drejt niveleve minimale operative në disa rajone. Nëse kërkesa rritet gjatë muajve të verës ose Kina rikthehet në treg me blerje më të mëdha, balanca mund të ndryshojë shpejt.
Edhe pse tregu ka sfiduar parashikimet për një krizë të menjëhershme furnizimi, pasiguritë mbeten të mëdha.
Analistët paralajmërojnë se një zgjatje e tensioneve gjeopolitike ose vonesa në rikthimin e flukseve normale të naftës mund të shkaktojë luhatje të forta të çmimeve në muajt në vijim. Për momentin, tregu global i naftës po tregon se është më elastik sesa prisnin shumë ekspertë, por kjo qëndrueshmëri mbështetet në faktorë që mund të mos zgjasin përgjithmonë./Mxh
