Në tremujorin e parë të këtij viti, paga mesatare mujore bruto arriti në 90 mijë lekë, duke arritur nivelin më të lartë historik, sipas të dhënave të INSTAT, e ndikuar dhe nga rritja e pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë nga 1 janari.
Por, cilat janë profesionet që paguhen më shumë?
Në vend të parë mbeten ata që punojnë në sistemin bankar dhe të sigurimeve, me 157 mijë lekë në muaj, me një rritje prej 10.5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në raport me fundin e 2025-s, paga e këtij aktiviteti është ulur me 9.1%, për shkak të shpërblimeve që jepen zakonisht në fund të vitit.
Në vend të dytë prej disa kohësh ka kaluar aktiviteti i teknologjisë së informacionit, që ka parë një rritje të shpejtë vitet e fundit, si rrjedhojë e kërkesës për këta profesionistë dhe presionit nga largimi në emigracion. Në tremujorin e parë, ata që punojnë në teknologji e informacion u paguan mesatarisht me 132 mijë lekë, me rritje 8.5% me bazë vjetore.
Në vend të tretë mbetet puna në shtet, (Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale), që pas rritjeve të vazhdueshme dy vitet e fundit, paguhet mesatarisht 105.4 mijë lekë në muaj, me rritje prej 7%.
“Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse”, janë një tjetër profesion që paguhet më shumë se mesatarja, me 96.3 mijë lekë në muaj, dhe rritje 5%.
Ata që punojnë në aktivitetin e “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera” u paguan mesatarisht 84 mijë lekë, me rritje 5.5%.
Ndërtimi, për shkak të vrullit që ka marrë ky sektor vitet e fundit po detyrohet të rrisë pagat për të gjetur punonjës. Paga mesatare në këtë sektor ka arritur në 83.3 mijë lekë, me një rritje 22% me bazë vjetore. Rritja më e fortë se tregu lidhet dhe me aksionin e tatimeve për të luftuar informalitetin e pagave në këtë sektor.
Edhe sektori i industrisë ka shënuar rritje, duke arritur në një mesatare prej 76 mijë lekë (+11%).
Aktiviteti i “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” paguhet mesatarisht me rreth 74 mijë lekë në muaj, me rritje 9.2%.
Paga më e ulët mesatare në vend ka arritur në 61 mijë lekë (+11.8%) dhe paguhet në sektorin e bujqësisë./monitor-a.d
