Intervistë
Ky episod duket simbolik për një Kupë Bote ku loja globale është sakrifikuar në emër të fitimit cinik të FIFA-s dhe tekave politike të stilit Trump.
Morgan Ofori
Omar Abdulkadir Artan duhej të bënte histori këtë javë, duke u bërë arbitri i parë somalez që do të gjykonte ndeshje në një Kupë Bote. Në vend të kësaj, ai po e ndjek turneun nga jashtë Shteteve të Bashkuara, pasi iu mohua hyrja pa shpjegim nga administrata e Donald Trump.
Mirë se vini në “Kupën e Botës më gjithëpërfshirëse ndonjëherë”.
FIFA po projekton të ardhura prej 8.9 miliardë dollarësh nga ky turne – dyfish më shumë se Lojërat Olimpike të 2024-ës. Më shumë ekipe: 48, nga 32 më parë. Më shumë ndeshje: 104 në 39 ditë. Më shumë tregje. Ky është biznes i madh.
Por një gjë është e qartë: jo të gjithë janë të ftuar në festë. Në ditët para ceremonisë hapëse, lajmet kanë qenë për përjashtim, përçarje dhe segregim.
Arbitri i përjashtuar
Duhet nisur me Artanin, një arbitër somalez i shpallur arbitri më i mirë mashkull në Afrikë vitin e kaluar dhe i akredituar nga FIFA që nga viti 2018.
Ai pritej të hynte në histori. Në vend të kësaj, u përball me një refuzim të hyrjes në SHBA.
“Jam shumë, shumë i zhgënjyer,” tha ai për New York Times. “Jam thjesht një arbitër që po ndjek ëndrrën time – ëndrrën më të madhe të jetës sime, të jem në Kupën e Botës.”
Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, e quajti atë “një simbol frymëzimi për gjeneratën e re të somalezëve”. Por kjo, duket se nuk mjafton për administratën Trump.
Andrew Giuliani, që drejton task-forcën e Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, deklaroi: “Nuk mund të hyj në detajet e informacionit derogues, por ishte vendimi i duhur i doganës dhe kufirit dhe unë e mbështes atë.”
Më vonë, media amerikane raportoi pretendime të paverifikuara se arbitri mund të ketë lidhje me “persona të dyshuar si pjesë e organizatave terroriste”.
FIFA dhe premtimet e pambajtura
FIFA kishte kërkuar nga vendet organizatore të fundit që të garantonin viza dhe liri minimale lëvizjeje për lojtarët dhe zyrtarët.
Por pse SHBA-ja përjashtohet nga këto rregulla?
Përgjigjja e FIFA-s ishte e ftohtë dhe e kufizuar: nuk ndërhyn në proceset e vizave të shteteve pritëse.
Kështu, organizata e futbollit pranon në heshtje se hyrja në “lojën globale” varet nga vendimet politike të një shteti.
Përjashtime të tjera
Rasti i Artanit nuk është i vetëm.
Federata iraniane e futbollit tha se kuotat e biletave për tifozët e saj janë anuluar. Po ashtu, baza stërvitore e ekipit kombëtar u zhvendos nga Arizona në Mexico City, dhe disa pjesëtarëve të stafit u është refuzuar viza.
Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv kritikoi gjithashtu refuzimin e vizave për gazetarë të akredituar.
Në një letër drejtuar FIFA-s thuhej se gazetarë iranianë dhe afrikanë po përballen me kufizime hyrjeje, madje disa marrin viza të kufizuara që i pengojnë të ndjekin ekipet e tyre në mënyrë të plotë.
“Rastet janë të panumërta dhe të papranueshme,” thuhej në letër. “Sporti thuhet se bashkon botën, por këtu po ndodh e kundërta.”
Një turne i madh, por jo për të gjithë
Turneu i zgjeruar përfshin një rekord prej 10 shtetesh afrikane. FIFA e sheh këtë si sukses historik dhe investon miliarda në infrastrukturë dhe zhvillim futbolli në Afrikë.
Por kritikët thonë se zgjerimi është edhe një projekt i madh komercial, i ndërtuar për të rritur të ardhurat dhe për të siguruar mbështetjen politike të 54 vendeve afrikane që përbëjnë 25% të votave në FIFA.
Politika mbi sportin
Pyetja që ngrihet është e drejtpërdrejtë: çfarë ndodh kur një Kupë Bote ndikohet nga politika e Donald Trump dhe kur organizatorët e futbollit e pranojnë këtë realitet pa rezistencë?
Sipas kritikëve, drejtuesi i FIFA-s Gianni Infantino po zgjedh heshtjen dhe interesin financiar mbi parimet.
“FIFA kërkon zgjerim në Afrikë, ndërsa në të njëjtën kohë lejon që disa vende të trajtohen si të parëndësishme,” thonë kritikët.
Një premtim i thyer
Autoritetet somaleze reaguan ashpër për ndalimin e Artanit:
“Parandalimi i tij minon angazhimin e futbollit ndaj drejtësisë, meritës dhe fair play-t.”
Por realiteti aktual, sipas autorit, është më i ashpër: vlerat e shpallura të futbollit botëror po zbehen përballë politikës dhe interesave ekonomike.
Dhe në këtë tablo, “përfshirja globale” duket më shumë si slogan sesa realitet.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
