Last Updated on 11/06/2026 by Anisa
Karrige plazhi, çadra për t’u mbrojtur nga dielli dhe ‘një det’ me flamuj të Vatikanit. Rrugët e Barcelonës u shndërruan këtë të mërkurë në skenën e një mobilizimi historik për të shoqëruar Papën Leon XIV në mbylljen e vizitës së tij zyrtare në Katalonjë. Një ditë maratonë që gërshetoi mbështetjen për shtresat më në nevojë, reflektimin shpirtëror dhe një shfaqje të paparë mbështetjeje.
Ngjarja kryesore, dhe arsyeja e vërtetë për këtë datë të shënuar në kalendarin e Vatikanit, është rezervuar për fundin e kësaj të mërkure në Tempullin Shlyes të Sagrada Familia me një meshë solemne dhe bekimin e përurimin e shumëpritur të Kullës së Jezusit, strukturës më të lartë në tempull dhe të të gjitha kishave katolike në botë dhe përurimi i saj përkon me 100-vjetorin e vdekjes së krijuesit të saj, arkitektit katalanas Antoni Gaudí.
Pas bekimit historik të Papës, u zhvillua një spektakël piroteknik, muzikor, me drita dhe dronë, i cili u duartrokit nga 8,000 personat e pranishëm në këtë ngjarje. Një nga thëniet më të famshme të Gaudí-t, “Së pari dashuria, pastaj mjeshteria”, si dhe portreti i tij, ndriçuan qiellin e Barcelonës mbi kullat e bazilikës dhe mbi qytet.
Me të mbërritur, pasi zbriti nga papamobili, Papa Leon XIV u prit nga Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës, Kryeministri Pedro Sánchez i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Begoña Gómez, Presidenti i Generalitat-it (Qeverisë së Katalonjës) Salvador Illa, si dhe Kryebashkiaku i Barcelonës Jaume Collboni.
Dita filloi në orët e para të mëngjesit 30 kilometra larg kryeqytetit katalanas, në burgun e Brians 1, ku Leon XIV zhvilloi një takim privat me të dënuar nga disa qendra penitenciare.
Nga atje, u zhvendos me helikopter deri në zemrën shpirtërore të Katalonjës: Abacinë e Montserrat-it. Përpara imazhit të Moreneta-s (Virgjëreshës së Zezë), Papa kryesoi lutjen e Rruzares së Shenjtë, duke drejtuar një pjesë të fjalimit të tij në katalanisht. Pasdite, Papa u kthye në Barcelonë për të shkuar në kishën e Sant Agustí, në Raval. Atje po e prisnin anëtarët e urdhrit të tij, agustinianët, së bashku me 400 përfaqësues të 90 entiteteve të dedikuara ndaj bamirësisë.
Pika kulmore e entuziazmit qytetar u përjetua në rrugët e qendrës së qytetit. Përgjatë akseve rrugore Rosselló dhe Sardenya, mijëra njerëz rrethonin rrugët duke thirrur “Papa Leon, të duam pafund”, ndërsa autokolona përparonte me hap shumë të ngadaltë.
Një ekip i stafi të sigurisë shoqëronte Pontifikun në këmbë, ndërsa besimtarët — duke përsëritur një nga pamjet më klasike e tradicionale të vizitave papale — u afronin fëmijët dhe foshnjat agjentëve të sigurisë, me qëllim që Papa Leon XIV t’i bekonte ata përpara se të futej në madhështinë e Sagrada Família-s./a.d





