Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje, ku theksoi se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka hyrë në fazën më dinamike dhe përcaktuese.
Në fjalën e tij, Hoxha nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit ekonomik dhe reformave të nevojshme për realizimin e objektivit të Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë pjesë e plotë e BE-së deri në vitin 2030.
Postimi i ministrit Ferit Hoxha:
I kënaqur që mora pjesë në Takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, #SEECP, çka shënon njëkohësisht edhe 30-vjetorin e këtij procesi.
Ajo që nisi si një aspiratë e sinqertë është shndërruar ndër vite në një projekt të qëndrueshëm dhe me ndikim të rëndësishëm. Sot, SEECP qëndron si forumi politik kryesor i rajonit, duke nxitur dialogun, ndërtuar besimin dhe forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në këtë mënyrë, ai ka dëshmuar se përgjegjësia rajonale, respekti i ndërsjellë dhe një vizion i përbashkët mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse për më shumë stabilitet, mirëqenie dhe integrim në të gjithë rajonin tonë.
Bashkëpunimi ekonomik dhe integrimi rajonal duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve tona të përbashkëta. Procesi i Berlinit, Plani i Rritjes, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nismat më të gjera të ndërlidhjes, përfshirë #KorridorinVIII dhe projekte të tjera strategjike, vazhdojnë të ofrojnë mundësi konkrete për thellimin e integrimit ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Rruga jonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka hyrë në fazën e saj më dinamike dhe më përcaktuese. Objektivi ynë mbetet ambicioz, por realist: përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë deri në vitin 2030.
Një proces i suksesshëm zgjerimi, i bazuar në meritë, mund të funksionojë vetëm nëse është i besueshëm dhe i qëndrueshëm nga të dyja palët. Ky mirëkuptim u rikonfirmua javën e kaluar në Tivat, ku drejtuesit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për nevojën e një momenti të ri politik dhe një vizioni strategjik më të qartë në agjendën e zgjerimit. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të përmbushur përgjegjësitë tona dhe për të çuar përpara reformat e nevojshme për arritjen e këtij objektivi.
Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin #rajonal. Ndonëse progresi i arritur deri më tani është i pamohueshëm, sfida dhe dobësi të caktuara vazhdojnë të ekzistojnë. Nëse nuk adresohen, ato rrezikojnë të minojnë stabilitetin, të ngadalësojnë zhvillimin dhe të krijojnë hapësira për ndikime të jashtme që nuk përputhen me aspiratat tona të përbashkëta europiane.
Për këtë arsye, bashkëpunimi më i thellë dhe ndërlidhja më e fortë mes vendeve tona nuk janë thjesht një domosdoshmëri rajonale; ato përbëjnë një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e rajonit dhe #Evropës në tërësi.
Mirënjohje e sinqertë për #Bullgarinë për kryesimin e suksesshëm dhe lidershipin shembullor.
I urojmë mirëseardhjen kryesisë së re, #Rumanisë, dhe presim të bashkëpunojmë ngushtë për ta bërë mandatin e ardhshëm sa më të suksesshëm dhe produktiv.
