Last Updated on 10/06/2026 by EL
Për vite me radhë, shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët dhe adoleshentët janë konsideruar kryesisht si çështje edukimi dhe prindërimi. Sot, megjithatë, mjekët po japin alarmin dhe po e trajtojnë fenomenin si një problem të vërtetë të shëndetit publik. Në Mbretërinë e Bashkuar, një organizatë që përfaqëson 23 kolegje dhe fakultete mjekësore ka krahasuar rreziqet e rrjeteve sociale për të rinjtë me ato të duhanit ose të mosvendosjes së rripit të sigurimit në automjet. Sipas specialistëve, nuk diskutohet më nëse telefonat inteligjentë dhe platformat dixhitale mund të kenë pasoja negative, por se si mund të kufizohet përdorimi i tyre pa krijuar probleme të tjera.
Çfarë po shqetëson mjekët?
Në një anketim me profesionistë të shëndetësisë, më shumë se gjysma e tyre deklaruan se hasin të paktën një herë në javë raste të mundshme dëmtimi të shëndetit të lidhura me përdorimin e teknologjisë dhe pajisjeve dixhitale. Mbi një e treta raportuan se përballen me raste të tilla disa herë në javë. Problemet e evidentuara variojnë nga ankthi, depresioni dhe traumat e shkaktuara nga ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dhunshme apo shqetësuese, deri te dëmtime fizike dhe sjellje të rrezikshme të nxitura nga sfida ose përmbajtje ekstreme të shpërndara online. Shqetësimi më i madh lidhet me platformat e ndërtuara për të mbajtur përdoruesit sa më gjatë të lidhur, përmes njoftimeve të vazhdueshme, riprodhimit automatik të videove dhe lëvizjes së pafundme të përmbajtjes.
Masa të reja kufizuese
Autoritetet britanike po shqyrtojnë masa që variojnë nga ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç deri te vendosja e kufijve kohorë, orareve të përdorimit apo bllokimi i funksioneve që konsiderohen më varësuese. Megjithatë, ekspertët nuk janë të gjithë të një mendimi. Disa paralajmërojnë se ndalimet e plota mund t’i shtyjnë të rinjtë drejt platformave më pak të kontrolluara dhe potencialisht më të rrezikshme.
Europa synon të godasë algoritmet
Edhe Bashkimi Europian po shqyrton masa të ngjashme. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka hapur diskutimin për vendosjen e kufijve më të rreptë të moshës dhe për rregullimin e mekanizmave që synojnë të mbajnë të rinjtë të angazhuar sa më gjatë në rrjete sociale. Në fokus janë funksione si lëvizja e pafundme e përmbajtjes, riprodhimi automatik i videove dhe njoftimet e vazhdueshme, të cilat konsiderohen mjete të dizajnuara për të tërhequr dhe mbajtur vëmendjen e përdoruesve. Siç është shprehur von der Leyen: “Pyetja nuk është nëse të rinjtë duhet të kenë akses në rrjetet sociale, por nëse rrjetet sociale duhet të kenë akses te të rinjtë.” Kjo tregon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj problemit: vëmendja nuk është më vetëm te mënyra se si fëmijët dhe adoleshentët përdorin rrjetet sociale, por edhe te mënyra se si vetë këto platforma janë ndërtuar për të ndikuar në sjelljen e tyre./FC
