Last Updated on 10/06/2026 by EL
Të qeshurit nuk është thjesht argëtim, sidomos për fëmijët. Sipas studiuesve, ai ndikon pozitivisht në zhvillimin e trurit, forcon sistemin imunitar, përmirëson të nxënit dhe afron më shumë prindërit me fëmijët e tyre. Dihet prej kohësh se e qeshura përmirëson humorin, ul nivelin e hormoneve të stresit si adrenalina dhe kortizoli, ndërsa rrit prodhimin e dopaminës, endorfinës dhe serotoninës. Por për fëmijët, përfitimet janë edhe më të mëdha. Sipas Jacqueline Harding, eksperte e zhvillimit të fëmijëve në Middlesex University në Londër dhe autore e librit “The Brain That Loves To Laugh”, e qeshura është një element thelbësor për një rritje të shëndetshme.
Si ndikon e qeshura në tru?
Harding shpjegon se e qeshura nuk është një veprim sipërfaqësor, por një proces kompleks biologjik që aktivizon zona të ndryshme të trurit. Ajo ndikon në ritmin e zemrës, frymëmarrjen dhe madje në prodhimin e antitrupave, duke forcuar mbrojtjen natyrore të organizmit. Për më tepër, të qeshurit stimulon trurin të krijojë lidhje të reja nervore, duke ndihmuar zhvillimin e aftësive njohëse dhe kujtesës. E qeshura nuk i sjell dobi vetëm fëmijës, por edhe marrëdhënies me prindërit. Kur fëmijët qeshin së bashku me mamanë dhe babanë, krijohet një lidhje emocionale më e fortë dhe reduktohet stresi i të gjithë familjes. Gjithashtu, ajo ndihmon në zhvillimin e inteligjencës emocionale dhe aftësive sociale. Nuk është e nevojshme të bëheni humoristë apo të kaloni ditën duke treguar barcaleta. Mjaftojnë momente të thjeshta loje, një buzëqeshje, një vështrim i ngrohtë, përqafime dhe aktivitete të përbashkëta pa shpërqendrime nga telefonat apo ekranet.
A duhet të ketë më shumë humor në shkollë?Sipas Harding, po. Ajo beson se humori duhet të përdoret më shpesh edhe në mjediset shkollore. Në vend që të jetë një shpërqendrim, ai mund t’i bëjë konceptet e vështira më të lehta për t’u kuptuar dhe mbajtur mend. Duke ulur stresin dhe duke krijuar një atmosferë më pozitive, e qeshura ndihmon nxënësit të mësojnë më mirë dhe të bashkëpunojnë më lehtë me njëri-tjetrin. Në fund, mesazhi i studiuesve është i qartë: e qeshura nuk është humbje kohe. Përkundrazi, ajo është një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të fuqishme për të ndihmuar fëmijët të rriten të shëndetshëm, të lumtur dhe të zgjuar.
