Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe mirëpritën homologët e tyre australianë në Lancaster House, në Londër, për një takim të nivelit të lartë mes dy vendeve.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, dhe Ministri i Mbrojtjes, John Healey, zhvilluan bisedime me Ministren e Jashtme të Australisë, Penny Wong, dhe Ministrin e Mbrojtjes, Richard Marles, në kuadër të takimit ministror Australi–Britani (AUKMIN).
Gjatë diskutimeve u theksua forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe thellimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Vitin e kaluar, ky takim u mbajt në Sydney, ku fokusi ishte rritja e lidhjeve tregtare dhe avancimi i marrëveshjes së sigurisë AUKUS, një partneritet që synon bashkëpunim të ngushtë në fushën e teknologjisë ushtarake dhe në rajonin Indo-Paqësor.
Takimi i Londrës vjen në një moment kur Britania dhe Australia kërkojnë të forcojnë më tej aleancën e tyre në përballje me sfidat globale të sigurisë dhe ekonomisë./mxh
