Ndryshimet e vazhdueshme në pankinat e skuadrave të Serie A vazhdojnë të jenë një nga karakteristikat kryesore të futbollit italian. Edhe këtë verë pritet një valë e re lëvizjesh, me të paktën nëntë klube që kanë ndryshuar ose janë në proces të ndryshimit të trajnerit. Atalanta, Bolonja, Fiorentina, Lazio, Milan, Napoli, Sassuolo, Torino dhe Monza janë emrat që aktualisht përfshihen në këtë proces, ndërsa lista mund të zgjerohet edhe më tej në javët e ardhshme.
Kjo situatë konfirmon një tendencë që vazhdon prej vitesh në futbollin italian. Sipas statistikave, rreth 75 % e trajnerëve në Serinë A nuk arrijnë të qëndrojnë më shumë se një sezon në krye të skuadrës. Mesatarja e qëndrimit në stol është vetëm 10.9 muaj, një shifër që e vendos kampionatin italian ndër ligat me stabilitetin më të ulët teknik në Evropë.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Itali. Një analizë e realizuar në 55 kampionate të ndryshme tregon se 65.2 % e skuadrave në botë kanë ndryshuar të paktën një herë trajner gjatë 12 muajve të fundit. Megjithatë, diferencat mes kampionateve kryesore evropiane mbeten të dukshme.
Në Serinë A, numri i trajnerëve që kanë arritur të ndërtojnë një projekt afatgjatë është shumë i kufizuar. Aktualisht, vetëm Kosta Runjaiç te Udinese dhe Çesk Fabregas te Komo mund të konsiderohen si trajnerë me një periudhë të gjatë në krye të skuadrave të tyre. Në rastin e Fabregas, situata është edhe më e veçantë, pasi ai ka gjithashtu lidhje të drejtpërdrejta me strukturën e klubit.
Kur krahasimi bëhet me kampionatet e tjera të mëdha evropiane, diferencat janë të konsiderueshme. Në Francë, mesatarja e qëndrimit të trajnerëve arrin në 17 muaj. Në Gjermani kjo shifër rritet në 23.3 muaj, në Spanjë në 27.8 muaj, ndërsa në Angli arrin në 29.1 muaj. Po ashtu, në Premier Ligë rreth 40 për qind e trajnerëve qëndrojnë në detyrë për të paktën dy vite, ndërsa në La Liga kjo përqindje shkon në 45 %.
Shembujt e skuadrave që kanë arritur rezultate të rëndësishme falë vazhdimësisë teknike janë të shumtë. Në sezonet e fundit, projekte afatgjata si ato të Mikel Artetës tek Arsenali dhe Luis Enrikes te PSG kanë treguar se stabiliteti në stol mund të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e skuadrës dhe arritjen e objektivave.
Në futbollin italian, ndryshimet e shpeshta të trajnerëve shpesh sjellin fillimin e një cikli të ri çdo sezon. Kjo nënkupton ide të reja taktike, ndryshime në organikë dhe kohë shtesë për përshtatjen e grupit. Për pasojë, klubet e kanë më të vështirë të ndërtojnë projekte afatgjata dhe të krijojnë identitet të qëndrueshëm sportiv./mxh
