Sardenja vazhdon të kufizojë numrin e turistëve që mund të vizitojnë plazhet e saj të famshme gjatë verës.
Në ishullin italian të Sardenjës, shkuarja në plazh kërkon pak planifikim.
Destinacioni veror tani ka kufizime vizitorësh, rezervime të detyrueshme dhe rregulla sjelljeje në shumë prej plazheve të tij më të famshme.
Bregdeti i ishullit është i njohur në botë dhe shpesh renditet ndër vendet më të mira në Itali për pushime në det.
Por ai po dëmtohet nga sjellja e papërgjegjshme e vizitorëve dhe mbipopullimi.
Ja vendet ku ishulli ka kufizuar hyrjen ose ka vendosur rregulla për të mbrojtur plazhet më të njohura.
Spiaggia Rosa: 3,500 euro gjobë për vjedhjen e rërës
Spiaggia Rosa, në ishullin Budelli, tërheq mijëra turistë gjatë verës për rërën e saj rozë. Por vizitorët mund ta shohin plazhin vetëm nga larg, me varkë.
Plazhi është i mbyllur për vizitorët që nga mesi i viteve ’90, pasi rëra e tij nisi të zhdukej. Autoritetet ndërhynë kur turistët u kapën duke marrë kilogramë rërë si suvenire.
Sipas rregullave lokale, ecja në plazh dënohet me mbi 500 euro gjobë, ndërsa kush kapet duke marrë rërë mund të gjobitet deri në 3,500 euro.
Disa plazhe të tjera në ishull lejojnë hyrjen vetëm për një numër të kufizuar vizitorësh.
Në veri, Cala Brandinchi dhe Lu Impostu do të kufizojnë vizitorët përkatësisht në 1,447 dhe 3,352 persona nga 1 qershori deri më 30 shtator. Rezervimi bëhet përmes aplikacionit San Teodoro ose faqes zyrtare.
Në Cala Mariolu lejohen 700 persona njëkohësisht nga 15 qershori deri më 15 shtator, me një tarifë mjedisore prej 2-3 eurosh.
Në Villasimius, në juglindje të ishullit, vizitorët që shkojnë në plazhin Punta Molentis duhet të paguajnë 10 euro. Ndërsa në Riu Trottu dhe Portu Sa Ruxi kërkohet pagesë për parkimin: 10-15 euro për automjet, ndërsa çiklistët dhe këmbësorët paguajnë 3 euro.
Punonjës të posaçëm janë vendosur në parkingje dhe në hyrjet e plazheve për të kontrolluar biletat.
Peshqirët e plazhit të ndaluar në Pelosa
Në bregun perëndimor, plazhi i famshëm Pelosa në Stintino është i hapur vetëm për një numër të kufizuar vizitorësh. Maksimumi 1,500 persona lejohen të hyjnë çdo ditë, ndërsa vitin e kaluar numri i vizitorëve arriti deri në 4,000 në disa ditë.
Ata që duan të bëjnë plazh në Pelosa duhet të rezervojnë një biletë prej 3.50 eurosh. Rregullat thonë se peshqirët mund të përdoren vetëm nëse poshtë tyre vendosen dyshekë, që mbajnë më pak rërë. Këtë vit, ky rregull pritet të zbatohet më rreptësisht, me gjoba të mundshme prej 100 eurosh në vend.
Ogliastra: Kufizime kohore për plazhistët
Në Ogliastra, në bregun lindor, në Cala Birìala lejohen 300 persona në ditë dhe ata që mbërrijnë me varkë mund të qëndrojnë vetëm 90 minuta.
Edhe në Cala dei Gabbiani lejohen deri në 300 vizitorë, me qëndrim nga 70 deri në 90 minuta.
Si po e lufton Italia turizmin masiv?
Sardenja i bashkohet destinacioneve të tjera italiane që kanë vendosur kufizime për shkak të mbipopullimit.
Venecia tashmë ka sistem rezervimi dhe tarifë hyrjeje, ndërsa në Portofino turistët që qëndrojnë gjatë dhe bllokojnë rrugët mund të gjobiten me 270 euro./ Euronews-a.d
