Last Updated on 11/06/2026 by EL
Ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniformat e UÇK-së, marshuan në sheshet e kryeqytetit, Prishtinë, me rastin e 27-vjetorit të çlirimit, ndërsa kërkuan lirimin e ish-krerëve që po gjykohen në Hagë.
Ata thanë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë. Veterani i luftës, Agim Pllashniku, protestoi para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku vendosi edhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë protestës, Pllashniku kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke thënë se ai duhet t’u kërkojë falje atyre, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.
“Na jemi çlirimtarë, sepse e kemi çliruar Prishtinën dhe e kemi çliruar Kosovën. Themeluesit e UÇK-së po mbahen prej gjashtë vitesh në Hagë padrejtësisht, në paraburgim, me aktakuza që, sipas nesh, mbështeten në pretendime të Serbisë. Këta janë themelues të UÇK-së, nuk janë zullumqarë; duhet ta dijë edhe Albin Kurti se ata janë çlirimtarë. Albin Kurti duhet të na kërkojë falje neve, së pari këtyre që janë në burg tani, e pastaj të gjithë veteranëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të viktimave të masakrave”, tha Pashniku.
Para nisjes së marshit, u zhvilluan homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ku morën pjesë veteranë të luftës së UÇK-së, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërkohë, më herët, Kuvendi Komunal i kryeqytetit mbajti një seancë solemne kushtuar të rënëve për liri dhe rrugëtimit të Kosovës drejt shtetësisë. Seanca nisi me një minutë heshtje, ndërsa mes të pranishmëve ishin edhe ish-komandantë të luftës, si Rrustem Mustafa – Remi, Latif Gashi dhe Fatmir Sopi.
“Çlirimi i kryeqytetit dhe i gjithë Kosovës përmes luftës çlirimtare dhe zbarkimit të NATO-s në Kosovë nuk është vetëm një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një udhërrëfyes për të ardhmen dhe drejtimin strategjik që duhet të ndjekë Kosova”, tha Mustafa.
Njëzet e shtatë vjet më parë, forcat kriminale ushtarake dhe paramilitare serbe u tërhoqën nga Kosova, duke shënuar fundin e pushtimit serb. Ushtria serbe u detyrua të tërhiqej pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren dhe bombardimeve të NATO-s, të cilat e detyruan të nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës më 9 qershor 1999, duke i dhënë fund konfliktit të armatosur në Kosovë. /et
