NASA ka nisur tashmë porositjen e mjeteve të uljes, automjeteve eksploruese dhe dronëve për një bazë të gjerë në Hënë, dy muaj pas fluturimit historik rreth Hënës nga misioni Artemis II, sipas AP.
Agjencia amerikane e hapësirës prezantoi fazën e parë të planit për bazën hënore, duke dhënë kontrata me vlerë qindra miliona dollarë për katër kompani amerikane.
Kompania e Jeff Bezos, “Blue Origin”, do të sigurojë dy mjete uljeje për të transportuar automjete hënore në sipërfaqen e Hënës, pranë polit jugor. Këto mjete do të ndërtohen nga “Astrolab” dhe “Lunar Outpost”. Ndërkohë, Firefly Aerospace, e cila realizoi me sukses një ulje në Hënë vitin e kaluar, do të dërgojë dronët e parë në satelitin natyror të Tokës.
Sipas planit, kjo pajisje duhet të mbërrijë në Hënë përpara se astronautët e parë të programit “Artemis” të zbresin atje, gjë që pritet të ndodhë jo më herët se viti 2028. Gjatë misionit “Artemis II” në prill, katër astronautë fluturuan rreth Hënës, duke arritur më larg në hapësirë sesa ekuipazhet e programit “Apollo” në fund të viteve 1960 dhe fillim të viteve 1970.
Për misionin “Artemis III”, i planifikuar për vitin e ardhshëm, një ekip tjetër astronautësh do të ushtrojë procedurat e bashkimit në orbitën e Tokës mes kapsulës “Orion” të NASA-s dhe mjeteve hënore që po zhvillohen nga “Blue Origin” dhe “SpaceX” e Elon Musk.
NASA synon nisjen e “Artemis III” në mesin e vitit 2027, ndërsa ulja e dy astronautëve në Hënë mund të realizohet që në vitin 2028.
Faza e dytë e projektit, nga viti 2029 deri në fillim të viteve 2030, parashikon ndërtimin e infrastrukturës së përhershme, përfshirë një rrjet energjie. Në fazën e tretë, gjatë viteve 2030, baza pritet të jetë në gjendje të mbështesë qëndrime afatgjata të astronautëve në habitatet e saj të përhershme.
“Pastaj do të mund të themi: ‘Ne jemi këtu përgjithmonë dhe nuk do të largohemi’”, deklaroi Carlos Garcia-Galan, drejtues i programit të bazës hënore të NASA-s. Ai parashikon një bazë që do të shtrihet në qindra milje katrore, me kufij të monitoruar nga dronë të quajtur “MoonFall”, të vendosur në skajet e territorit.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha se këta shënues territorialë synojnë të respektojnë mjetet dhe pajisjet e vendeve të tjera që mund të ndodhen në afërsi. Sipas tij, qëllimi i bazës hënore është të nxisë zhvillimin e një ekonomie në Hënë, të mbështesë kërkimin shkencor dhe të krijojë bazat për ekspeditat e ardhshme drejt planetit Mars.
“Për ata që kanë pritur me durim, rikthimi i madh është shumë afër dhe ne nuk do të ngadalësojmë ritmin. Në të vërtetë, sapo kemi filluar”, tha Isaacman./mxh
