Dorëheqja e ministrit britanik të Mbrojtjes, John Healey, ka shkaktuar reagime të shumta në politikën britanike, duke rikthyer në qendër të debatit financimin e forcave të armatosura dhe sigurinë kombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se nuk ishte në dijeni të njoftimit për largimin e Healey, por theksoi se vendet anëtare të aleancës po rrisin investimet në mbrojtje përballë sfidave të reja të sigurisë. Sipas tij, garantimi i sigurisë kombëtare dhe ruajtja e një ekonomie të fortë mbeten dy shtyllat kryesore të çdo qeverie.
Ndërkohë, figura të politikës britanike reaguan menjëherë pas dorëheqjes. Ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, vlerësoi kontributin e Healey në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë një periudhe të vështirë për sigurinë ndërkombëtare.
Lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, e cilësoi largimin e tij si një sinjal alarmi për qeverinë e kryeministrit Keir Starmer, duke kërkuar më shumë fonde për ushtrinë britanike.
Edhe nga opozita konservatore pati kritika ndaj qeverisë. Ish-ministri i Jashtëm James Cleverly deklaroi se Healey e merrte më seriozisht mbrojtjen kombëtare sesa drejtuesit aktualë të qeverisë.
Kritika të forta erdhën edhe nga partia Reform UK, e cila akuzoi qeverinë se nuk po i jep përparësi financimit të forcave të armatosura në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë vazhdojnë të shtohen.
Dorëheqja e Healey vjen në një moment kur Britania e Madhe dhe aleatët e saj në NATO po përballen me presion në rritje për të shtuar investimet ushtarake dhe për të forcuar kapacitetet mbrojtëse./mxh
