Një investigim i gjerë i publikuar nga revista amerikane The New Yorker ka rikthyer në qendër të vëmendjes vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate, duke hedhur akuza të rënda për trafikim qeniesh njerëzore, shfrytëzim seksual, dhunë fizike dhe kontroll psikologjik ndaj dhjetëra grave.
Sipas hetimit të gazetares britanike Heidi Blake, vëllezërit Tate dyshohet se kanë ngritur për vite me radhë një sistem të organizuar për rekrutimin dhe shfrytëzimin e grave të reja, të cilat joshnin përmes premtimeve për dashuri, martesë apo një të ardhme të përbashkët.
Raporti bazohet në dëshmitë e dhjetëra grave dhe në dokumente hetimore të autoriteteve, duke pretenduar se viktimat izoloheshin më pas dhe detyroheshin të punonin në industrinë e pornografisë online, ndërsa fitimet kontrolloheshin pothuajse tërësisht nga vëllezërit Tate.
Sipas investigimit, Andrew dhe Tristan Tate përdornin të ashtuquajturën metodë “Loverboy”, një praktikë e njohur në rastet e trafikimit seksual, ku viktimat manipulohen emocionalisht përpara se të vihen nën kontroll ekonomik dhe psikologjik.
Pas zhvendosjes në Rumani, ata ngritën një kompleks të njohur si “American Village” pranë Bukureshtit. Hetimi pretendon se aty mbaheshin gratë e rekrutuara, të cilave u kufizohej liria e lëvizjes dhe komunikimi me persona të tjerë.
Raporti përshkruan gjithashtu akuza për dhunë seksuale dhe fizike ndaj disa prej grave, përfshirë raste të marrëdhënieve seksuale të pakonsensuara dhe përdorimit të forcës. Disa dëshmitare pretendojnë se kanë qenë objekt i kërcënimeve dhe presioneve për të mos denoncuar situatat që përjetonin.
Një nga rastet që çoi në nisjen e hetimeve në Rumani në vitin 2022 lidhet me një muzikante të re amerikane, e cila pretendon se ishte ftuar në Rumani me premtimin e një karriere në muzikë, por më pas u përball me presione për të marrë pjesë në aktivitete pornografike online.
Ndër denoncueset e përmendura në hetim është edhe aktivistja kanadeze Lauren Southern, e cila ka deklaruar se u dhunua seksualisht nga Andrew Tate gjatë një vizite në Rumani.
Aktualisht, Andrew dhe Tristan Tate përballen me hetime në Rumani për trafikim qeniesh njerëzore, trafikim të të miturve dhe akuza të tjera të lidhura me shfrytëzimin seksual. Andrew Tate përballet gjithashtu me akuza të veçanta në Britaninë e Madhe, përfshirë përdhunim dhe trafikim njerëzor.
Vëllezërit Tate i kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht. Megjithatë, proceset gjyqësore ndaj tyre vijojnë, ndërsa hetimi i fundit ka rikthyer debatin ndërkombëtar mbi aktivitetet dhe ndikimin e tyre në rrjetet sociale./mxh
