Ekonomia e Rusisë po arrin kufijtë e saj më shumë se katër vjet pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, sipas një raporti të publikuar sot nga ekonomistë të njohur.
Raporti “Kiel Report”, i hartuar nga “Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore” dhe “Insituti i Stokholmit për Ekonominë në tranzit”, vlerëson se Moska i ka shteruar pothuajse plotësisht rezervat e saj financiare dhe se ekonomia ruse ndodhet në fazën përfundimtare të kapaciteteve të saj mbështetëse.
“Në vitet e para të luftës kundër Ukrainës, ekonomia ruse u tregua më e qëndrueshme nga sa prisnin shumë analistë, por tani rezervat mbrojtëse janë konsumuar”, tha Moritz Schularick, president i “Institutit Kiel”.
Sipas tij, themelet e ekonomisë janë dobësuar ndjeshëm. Rezervat fiskale janë konsumuar në masë të madhe, rritja ekonomike ka ngecur dhe varësia e vendit nga Kina po bëhet gjithnjë e më e theksuar.
Schularick theksoi gjithashtu se çmimet më të larta të naftës, të nxitura nga konflikti në Gji, mund të sjellin vetëm përfitime të përkohshme për financat publike ruse dhe nuk do të zgjidhin problemet strukturore të ekonomisë.
Raporti tregon se aktivet likuide të fondit të pasurisë së Rusisë kanë rënë nga 6,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në fillim të luftës në vetëm 1,8% në prill 2026.
Në të njëjtën kohë, deficiti i buxhetit federal kishte tejkaluar objektivin e qeverisë për vitin 2026 që në tre muajt e parë të vitit. Të ardhurat nga nafta dhe gazi ranë me 45% në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas autorëve të raportit, këta tregues sinjalizojnë se aftësia e Rusisë për të financuar luftën dhe për të mbështetur ekonominë përmes rezervave shtetërore po bëhet gjithnjë e më e kufizuar./mxh
