Last Updated on 12/06/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një intervistë ekskluzive në “Shqipëria Live”, ku u ndal te protestat në Tiranë dhe angazhimi i tij për të përmbushur mandatin e marrë nga qytetarët.
Gjatë bisedës, Rama theksoi se protestat janë pjesë e jetës demokratike dhe nuk duhen parë si një matje force, ndërsa nënvizoi se do të respektojë deri në fund kontratën që ka me shqiptarët, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.
“Mbase e nxjerrë nga konteksti kjo gjë, duket sikur unë kam pasur një dilemë. Nuk ishte dilemë, por mundësi në kushtet kur gjërat që jam këtu bëhen të pamundura. Në rast se e flasim konkretisht, unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do e respektoj deri në fund. Nuk diskutohet.
Çfarë problemi ka që ndodhin protestat në lidhje me atë që thashë? Protestat janë pjesë e jetës demokratike në një vend të lirë. Protestat nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra në kuptimin që pavarësisht se numrat mund të jenë të vegjël ose të mëdhenj, por maten me qëllime, kauzën dhe kërkesat. Fakti që unë dhe PS jemi votuar me një shumicë, e cila është shumë domethënëse, nuk e përjashton faktin që një pjesë e njerëzve jetojnë në këtë vend, kanë një opinion tjetër dhe duan ta shprehin. Këto janë dy gjëra që nuk e përjashtojnë njëra tjetrën”, u shpreh Rama.
Kryeministri ritheksoi se shumica e fituar nga Partia Socialiste nuk cenon të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur qëndrime të ndryshme, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor të funksionimit të demokracisë./a.d
