Last Updated on 12/06/2026 by EL
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë.
Në kuadër të kësaj vizite që raportohet nga mediat vendase, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të angazhohet për garantimin e sigurisë së delegacionit shqiptar, ruajtjen e rendit publik dhe menaxhimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës presidenciale.
Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës së presidentit Begaj, në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë delegacioni do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe, në raste të caktuara, devijim të qarkullimit në rrugë alternative.
Autoritetet kosovare bëjnë me dije se kufizimet do të jenë të shkurtra dhe do të zbatohen gjatë mbërritjes së presidentit shqiptar nga pika kufitare e Vërmicës, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve të parashikuara në agjendën zyrtare.
Vizita vjen teksa Kosova kremton 27 vjetorin e çlirimit nga Serbia. /et
