Një zyrtar i lartë iranian deklaroi sot se drafti përfundimtar i memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshin një sërë çështjesh kyçe, nga programi bërthamor i Teheranit deri te rihapja e Ngushticës së Hormuzit, lehtësimi i sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe lirimi i miliarda dollarëve në asete të ngrira, raportoi “Reuters”.
Sipas zyrtarit, memorandumi parashikon rihapjen menjëherë Ngushticës së Hormuzit për të gjitha anijet tregtare, ndërsa SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane, menjëherë pas nënshkrimit të dokumentit.
Procesi i heqjes së bllokadës pritet të përfundojë brenda 30 ditëve.
Në aspektin ekonomik, Uashingtoni angazhohet të mos vendosë sanksione të reja ndaj Iranit, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Më pas, sanksionet amerikane dhe ato të OKB-së do të hiqen gradualisht, sipas një kalendari të dakordësuar nga të dyja palët.
Drafti parashikon gjithashtu një përjashtim të përkohshëm nga sanksionet ndaj eksporteve iraniane të naftës, duke i lejuar Teheranit të shesë naftë dhe të përfitojë të ardhurat përkatëse.
Një tjetër pikë e rëndësishme është zhbllokimi i 25 miliardë dollarëve nga asetet iraniane të ngrira jashtë vendit, përmes transfertave direkte, linjave të kreditimit dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit.
Sipas dokumentit, SHBA-ja dhe aleatët e saj rajonalë, do të hartojnë gjithashtu një plan rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin, i cili do të negociohet me Teheranin, brenda 60 ditëve nga nënshkrimi i memorandumit.
Në fushën bërthamore, Irani do të angazhohet të mos prodhojë dhe të mos sigurojë armë bërthamore.
Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Teherani do të ruajë statusin aktual të programit të tij bërthamor, duke mos zgjeruar aktivitetet e pasurimit të uraniumit dhe as kapacitetet e objekteve bërthamore.
Nga ana tjetër, SHBA-ja do të pranonte që Irani të ulë nivelin e pasurimit të rezervave të uraniumit që zotëron, brenda territorit iranian, në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të ardhshme.
Çështjet që lidhen me programin bërthamor, pasurimin e uraniumit dhe trajtimin e rezervave ekzistuese do të negociohen gjatë 60 ditëve, pas nënshkrimit të memorandumit dhe do të përfshihen në marrëveshjen përfundimtare.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga administrata amerikane, për detajet e publikuara nga pala iraniane./mxh
