Deputetja e Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si “Neomalsorja”, ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist, duke zgjedhur të vijojë mandatin si deputete e pavarur. Një një njoftim të dytë ajo postoi një simbol të një flamingoje në rrjetete sociale, duke nënkuptuar bashkimin dhe solidarizimin e saj me protestat.
Pas këtij zhvillimi, kolegu i saj socialist, Erion Malaj, ka deklaruar se është përpjekur të kontaktojë Koçekun me telefon, por nuk ka mundur ta arrijë pasi telefoni i saj ka qenë i fikur.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Malaj u shpreh se çdo individ ka të drejtën e vendimeve të tij dhe se koha do të tregojë vlerësimin e tyre.
Ai tha se deri më tani nuk ka pasur sinjale pakënaqësie nga ana e Koçekut në mbledhjet e grupit parlamentar, duke shtuar se ajo ka qenë e angazhuar dhe në linjë me grupin socialist.
“Deri në këto momente në asnjë mbledhje të grupit parlamentar nuk është shprehur as një lloj pakënaqësie, apo asnjë nga ato element që ne po përdorim. Znj.Koçeku në asnjë moment, deri para një jave, nuk ka pasur pakënaqësi. Unë me znj.Koçeku kam një marrëdhënie shumë korrekte, nuk di të them arsyen, qysh-tek, do ketë një komunikim zyrtar nga grupi parlamentar, ajo që di të them është se deri javën e kaluar znj.Koçeku edhe në cilësinë e sekretares së një Komisioni Parlamentar, ne na njoftonte për çdo gjë, pr.ligjet, mbledhjet. Ka pasur të gjitha qëndrimet në linjë me grupin tonë parlamentar. Kur kam lexuar në media atë që shkruajtën si status të znj.Koçeku unë kam bërë të vetmin veprim qytetar që mund të bëjë një koleg apo i ri, kam tentuar ta marrë në telefon për ta pyetur. Telefoni ka qenë i fikur, s’kam komunikuar dot me znj.Koçeku. Ka të drejtën e saj të mendojë si të dojë, nuk aludoj dot në këtë moment. Mua s’më zhgënjen sepse çdo njeri merr vendimet e veta në jetë. Koha i tregon gjërat kush ka të drejtë dhe kush s’ka të drejtë”, tha Malaj./a.d
