Nga Fatos Fico*
Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm
Peizazhi i Zvërnecit dhe i lagunës së Nartës flasin vetë; flamingot që ulen e ngrihen në ujërat e kripura të lagunës, me numra që ndryshojnë në çdo sezon migrator, bashkë me dhjetëra lloje shpendësh të tjerë, breshkat e rralla, pishat, shkurret mesdhetare, i kanë dhuruar turizmit shqiptar një fushatë globale marketingu të pamenduar më parë dhe plotësisht falas.
Në rrjetet sociale dhe mediat e huaja, imazhi i tyre dhe i natyrës ende të paprekur e shet Shqipërinë ekzaktësisht ashtu siç e kërkon tregu ndërkombëtar i kohës: një xhep i paprekur i Mesdheut, i egër, ekzotik dhe me vlera të larta natyrore.
Ekonomistët i kanë dhënë vlerë natyrës ashtu si investimeve njerëzore dhe bilanci final nuk është aspak pozitiv edhe për një investim masiv në Zvërnec, nëse llogariten kostot e natyrës dhe shërbimet e saj. Po aq më tepër, ky imazh i natyrës së virgjër siguron turizëm të qëndrueshëm, afatgjatë dhe me çmime të larta, e duke qenë zona e mbrojtur një e mirë publike, rregullohet të jetë e vizitueshme nga të gjithë.
Protesta për mbrojtjen e natyrës, tokës dhe së ardhmes duket se ka ndryshuar po ashtu edhe imazhin e shqiptarëve, të krijuar nga mediat populiste, jo si ata që përdorin çdo rrugë për të bërë para të shpejta, por si njerëz “idealistë” që nuk i këmbejnë paratë e lehta dhe aq të nevojshme me të ardhmen e tyre.
Pak ditë më parë, rrethimi me tela me gjemba i tokës dhe buldozerët e rëndë që filluan të shkulin pemët dhe të sheshojnë dunat natyrore treguan një realitet tjetër. Shqipëria gjendet në një udhëkryq dhe qeveria duket se e ka bërë zgjedhjen e saj me atë veprim, por jo vetëm ajo; duket se një pjesë e madhe e politikës, atyre që bëjnë biznes, por edhe shumë njerëz e shikojnë atë zgjedhje si të mirë.
U përpoqa ta analizoja këtë realitet, ku buldozerët marrin përpara gjithçka dhe kudo, të ndjekur pastaj nga betonierat, përmes modeleve e ligjeve fizike si entropia e lartë apo e ulët, ose edhe ligjit të Hotelling për shkuarjen drejt uniformitetit. Ky i fundit tregon logjikën se kur fillojnë të mbijnë resortet e ndërtimet, si Golemi, Shëngjini, Palasa, natyra dhe çdo pjesë e mbrojtur do të zhduken gradualisht nga i gjithë bregdeti dhe se nuk mund të ketë më bashkëjetesë mes ndërtimit dhe natyrës.
Ligjet juridike, ato që rregullojnë të bërit biznes dhe territorin në rastin e Shqipërisë, ato që mbrojnë “entropinë e lartë” në territor, p.sh. natyrën, dhe rregullojnë entropinë e ulët, p.sh. ndërtimet, nuk dihet si zhbehen e si transformohen përballë etjes për fitim të shpejtë nga shfrytëzimi ekstraktues dhe përjashtues për të gjithë të tjerët i pasurive natyrore.
Por, duket se mënyra më e mirë për të kuptuar “betonizimin” e Zvërnecit dhe mbarë bregdetit shqiptar nuk është entropia, kaosi a rregullsia, por është ajo që në realitetin shqiptar, ku përballja ditore e njerëzve është me një kapitalizëm të egër, një shtet ligjor disfunksional, të varur në një pozicion që luhatet mes ikjes dhe qëndrimit, dukej e harruar prej kohësh: ekonomia politike.
Për të kuptuar ekonominë politike të harruar nga “charada” e përditshme e arritjeve, duhet parë pak më larg dhe në realitete më të mëdha. Vendimmarrjet e mëdha të fuqive botërore ekonomike e politike rrallë bazohen te llogaritjet e pastra të efikasitetit ose te “ekonomia e thjeshtë” e teksteve shkollore.
Ekonomi klasike si ajo që na kërkohet të bëjmë ne konsumatorëve si qenie ekonomike të rëndomta. Faji është i joni, për shembull, që nuk dimë të kapim çdo ofertë “tre për dy” e të blejmë lirë, ose të mos e hapim shumë herë derën e frigoriferit duke kërkuar gjëra që nuk i ka, se konsumojmë energji të shtrenjtë. Si veprojnë ata “të mëdhenjtë”, janë shembuj klasikë të ekonomisë politike, ku siguria kombëtare, strategjia gjeopolitike, politikat e brendshme dhe largpamësia për pavarësi ekonomike a burimore mbizotërojnë mbi llogaritjet thjesht financiare të momentit.
Më konkretisht:
• SHBA: nga një këndvështrim i pastër tregu, tarifat e larta të importit janë joefikase. Por, për arsye politike, SHBA-ja i përdor ato për të mbrojtur zinxhirët jetikë të furnizimit, për rivalitetin gjeopolitik që ka së pari me Kinën, por edhe me Evropën, këto edhe nëse tarifat do të thonë çmime më të larta për konsumatorët vendas.
• BE : gjendet në një dilemë të madhe përballë zhvillimit të shpejtë e çmimeve të lira të teknologjisë së gjelbër kineze, si p.sh. makinat elektrike e panelet diellore. Edhe pse importi do të ishte më i lirë dhe do të përmbushte më shpejt synimet klimatike të BE-së, Evropa, e goditur rëndë nga varësia e mëparshme nga gazi rus, refuzon të krijojë një varësi të re gjeopolitike.
Përkundrazi, zgjedh të subvencionojë dhe të mbrojë mbijetesën e industrisë së saj me barriera të reja doganore dhe duke planifikuar ri-industrializimin e ri-elektrifikimin me kosto kolosale, bashkë me ligjet e masat që i bëjnë të mundura.
• Rusia dhe “mallkimi i burimeve natyrore”: teorikisht, një ekonomi e diversifikuar dhe e industrializuar është më e qëndrueshme, e mundësitë janë. Por, zgjedhjet ekonomike udhëhiqen nga sistemi politik në Rusi.
Të ardhurat masive nga nafta dhe gazi kanë krijuar një pushtet thellësisht të centralizuar, sepse monopolet e mëdha energjetike shtetërore apo edhe pak oligarkë në treg janë më të lehtë për t’u kontrolluar dhe taksuar sesa një ekonomi me shumë sektorë, e me shumë sipërmarrës.
Në të tria rastet, maksimizimi i efikasitetit si rregull klasik ekonomik po ikën në drejtim të paditur në deklaratat e “policisë së ekonomistëve” lidhur “me krimet” e ekonomisë politike. Sidoqoftë, ekonomitë e BE-së dhe SHBA-së, aq të mëdha dhe me marzhe të larta në shumë dimensione ekonomike e financiare, bëjnë që krizat apo shtrëngesat të perceptohen si kalimtare dhe, kur zgjasin gjatë, dhe të shikohen si pika kthese.
Në Shqipëri, pa përjashtim, vepron e njëjta filozofi e interesave ekonomiko-politike mbi ekonominë teorike të pastër të tregut, me karakteristikat e saj unike.
Sipas ekonomisë klasike, ndërtimi i pasurive të paluajtshme varet nga kërkesa e blerësve; kur tregu ngopet, ndërtimi ndalet.
Po ashtu, natyra e paprekur është një aset i rrallë, me vlerë të lartë, e pakthyeshme dhe që në raste të pakta e të rregulluara mirë mund të përdoret për ekoturizëm të qëndrueshëm e afatgjatë. Megjithatë, ekonomia politike vendase zgjedh t’i injorojë plotësisht këto.
Në vend të saj, modeli i zhvillimit ngjason me “mallkimin e burimeve natyrore” të Rusisë, ku në vend të puseve të naftës, mjeti i rentës është së pari toka e brezit bregdetar, çdo hapësirë ende e pabetonuar në qytete, dhe së fundmi edhe malet.
Ndërtimi i vazhdueshëm në Shqipëri nuk bëhet për të përmbushur kërkesat e tregut për banim apo pushime, por për të mbajtur në këmbë vetë sistemin me anë të:
• Iluzionit të rritjes ekonomike: hedhja e betonit është mënyra më e shpejtë për të rritur shpejt shifrat e PBB-së, duke krijuar imazhin e një ekonomie të suksesshme.
• “Progresit” të dukshëm për zgjedhjet e radhës: zonat e reja të ndërtuara e asfaltuara ofrojnë një narrativë modernizimi, mjaft efektive gjatë fushatave politike.
• Qarkullimit të kapitalit: ndërtimi, dhe sidomos projektet masive e të turizmit, thithin dhe legjitimojnë sasi të mëdha kapitali, shpesh nga ekonomia joformale, duke siguruar ndërkohë besnikërinë e bizneseve dhe oligarkëve të fuqishëm ekstraktivë dhe të ndërtimit të lidhur me politikën.
• Blerjes së paqes sociale: ndërtimi punëson me mijëra punëtorë, duke parandaluar rritjen e papunësisë dhe pakënaqësinë sociale.
Për shkak se kundërshtimi publik do të kërkonte ta frenonte ndërtimin kudo e kurdoherë, ashtu siç po ndodh, sistemi e riemërton këtë ndërtimtari të vazhdueshme edhe si “zhvillim turistik elitar”.
Duke i etiketuar kullat në qytete herë si rikonstruksione, apo më së shumti i shet të veshura me fasada arkitektësh botërorë, “resortet e luksit turistik” e “investimet strategjike”, aktin e pastër të ndërtimit kudo dhe me çdo kosto, politika përpiqet ta transformojë atë, ndërtimin, si një të mirë publike “të mbrojtshme”, jo vetëm prej saj.
Për ta ushqyer këtë nevojë për hapësirë ndërtimi, sistemi ndryshon edhe rregullat.
Në shkurt 2024, parlamenti shqiptar kaloi Ligjin 21/2024 — një amendament për Zonat e Mbrojtura që lejoi ligjërisht ndërtimin e strukturave me pesë yje e lart brenda parqeve kombëtare që më parë mbroheshin nga ky lloj shfrytëzimi, më tej paketa e maleve apo qoftë edhe vendime individuale si p.sh. rikonstruksioni i Pallatit të Kongreseve me anë të një kulle rreth 255 m të lartë.
Në këtë model, produkti final, p.sh. një hotel funksional me turistë realë, është shpesh dytësor. Qëllimet kryesore arrihen përpara dhe gjatë fazës së ndërtimit. Kur njerëzit shohin në fund një kullë pa banorë në qytet apo resort të zbrazur për 9 muaj dhe pyesin “Pse u ndërtua kur askush nuk po e përdor/ e blen?”, përgjigja është se godina nuk u ndërtua për blerësit apo turistët.
Ajo u ndërtua për të mbajtur në këmbë sistemin politik dhe ekonomik. Mjedisi natyror e hapësirat ende të pazëna janë thjesht lënda e parë që duhen konsumuar për ta mbajtur këtë sistem në këmbë.
Sistemi aktual ekonomik dhe politik jeton me, dhe ka nevojë për këtë cikël të vazhdueshëm ndërtimi. Dalja nga ky cikël duket se do ta ndryshojë sistemin, por ai nuk del vetvetiu, përkundrazi ndërtimet do të shtohen derisa çdo hapësire të jetë e zënë, e për te dalë do të kërkojë ose një presion të brendshëm masiv ose/edhe kushtëzim të fortë nga jashtë.
Ndryshimi thelbësor mes ekonomive politike është se SHBA-ja dhe BE-ja po mbrojnë ekonomitë dhe zhvillimin e tyre nga rreziku i varësisë dhe konflikteve dhe po zgjedhin të sakrifikojnë fitimin e shpejtë për të fituar pavarësi strategjike afatgjatë, ndërsa Shqipëria po ecën verbërisht në drejtim të kundërt.
Në përpjekje për të maksimizuar rentën afatshkurtër të betonit mbi natyrën e hapësirën, qeveria po krijon një varësi të thellë strukturore nga ndërtimi dhe përdor edhe turizmin si justifikim.
Duke e kthyer bregdetin e mbetur në një kopje të çimentos spanjolle të viteve 1980, vendi po zhduk me shpejtësi avantazhin e tij unik krahasues strategjik: të qenit “toka e fundit e egër” në zemër të Evropës, wdhe paketa e maleve me amatorizmin e saj duket se do të çimentojë edhe malet.
Ekonomia politike shqiptare e momentit duket se nuk pranon kompromise ekologjike e hapësinore, megjithë investimet masive në pamje të parë, nuk ju shpëton dot pasojave negative afatgjata, si p.sh. emigrimi masiv e konstant i rinisë e profesionistëve, e rrjedhimisht krizën e pensioneve.
Betonimi mund ta vazhdojë punën më vonë nën projekte “të rishikuara mjedisore”.
Vizitorët me pendë rozë do të shkojnë e vijnë ndërkohë në ujërat e Nartës, të pavetëdijshëm se janë në vijën e frontit të një përplasjeje mes nevojës për të fituar nga ndërtimi qira politike dhe mbijetesës së pjesës së fundit të egër të bregut të detit e lumit Vjosa.
Por, mbi të gjitha, kjo përplasje frontale është nëse sistemi aktual i ndërtimit, i justifikuar edhe me turizëm elitar, do të mbizotërojë ekonominë, apo do të zhvillohen edhe sektorët e tjerë ku të rinjtë e gjejnë veten dhe të ardhmen e tyre, të ndihmuar dhe të mbështetur këtu edhe nga ekonomia politike e BE-së, ku Shqipëria shpreson të hyjë: bujqësia e zhvillimi rural, politikë ekonomike kjo e BE-së prej 60 vjetësh, ri-industrializimi, ri-elektrifikimi e shërbimet me vlerë të shtuar.
*Opinionet janë personale të autorit
