Analisti Artan Hoxha ka sjellë një interpretim të gjerë mbi protestat dhe ndjesinë e pakënaqësisë që, sipas tij, karakterizon një pjesë të madhe të gjeneratës së re në Shqipëri dhe në diasporë. Në qendër të kësaj analize qëndron ideja se revolta nuk është e izoluar, por produkt i një perceptimi të thellë për pabarazi në mundësi dhe funksionimin e sistemit shoqëror.
Sipas Hoxhës, ajo që bashkon të rinjtë, pavarësisht nëse jetojnë brenda apo jashtë vendit, është ndjesia se përparimi personal nuk varet nga aftësia, por nga faktorë të jashtëm që lidhen me pushtetin dhe rrjetet e influencës.
Hoxha e lidh protestën me ndjesinë e një gjenerate të re që, sipas tij, nuk po arrin të ecë përpara mbi bazën e meritës, por përballet me një sistem të dominuar nga lidhjet politike dhe nepotike.
Ai shprehet në emisionin “Now” në Euronews Albania si më poshtë:
“Dhe çfarë i bën bashkë edhe shqiptarë djem me vajza të rinj që jetojnë jashtë me ata që jetojnë këtu? Refreni, teza më frekuente në fjalimet e tyre është: Ne nuk realizojmë dot objektivat tona sepse jemi të penguar nga ky sistem i cili komandon.”
Unë po përpiqem të kuptoj thelbin, dhe thelbi është: Ne kemi një gjeneratë të re që në masën e saj më të madhe ndjehet e dekurajuar, ndjehet e penalizuar sepse nuk çajnë dot përpara mbi bazën e dijeve dhe të shpatullave të tyre. Sepse është një sistem me kujdestar politik dhe me kujdestar nepotik që kanë krijuar një gjeneratë, një pjesë tjetër të kësaj gjenerate që jetojnë me benefitet dhe me rentat e krijuar nga prindërit apo nga partia.
Unë besoj që protesta shpreh pikërisht këtë revoltë të masës më të madhe të kësaj gjenerate të re, e cila bën fajtore gjeneratën e vjetër që mban me parazitizëm një pjesë të kësaj gjenerate të re mbi privilegje të krijuara në këto 35 vite dhe veçanërisht vitet e fundit. Kam përshtypjen që kjo është ajo që shpjegon nga pikëpamja sociale.
Në fakt, në fakt unë e ndjej edhe e kam ndjerë edhe me studentët e mi këtë gjë, që në punësimin në shtet nuk çan dot përpara pa lidhje politike, dhe në punësimin në privat nuk çan dot përpara pa lidhje nepotike. Është shumë e vështirë kjo. Pra, edhe njëherë, nuk është vetëm në punësim.
Nuk është vetëm në punësim, por është dhe në karrierë, është dhe në sipërmarrje, është dhe në pozicionin social, edhe në të shprehurit, edhe në gjetjen e një pozicioni në shoqëri. Pra besoj që kjo është, dhe kjo revoltë e bën njëkohësisht rinore, energjike dhe rezistente. Besoj që këtu ka vend për të reflektuar detyrimisht mazhoranca, detyrimisht qeveria, por të gjithë aktorët që sot kanë një fuqi në këtë sistem.
Të gjithë duhet ta kuptojmë që, po nuk hapëm të gjithë rregullat e lojës për një lojë të barabartë dhe të fitojë më i miri në çdo fushë të jetës, ne në një farë mënyre nuk do ta shuajmë, por përkundrazi do ta ndezim dhe më shumë këtë protestë”, tha ai ndër të tjera./a.d
