Last Updated on 16/06/2026 by Kesjana
Personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2 duhet të shmangin dremitjet e gjata gjatë ditës. Sipas një studimi të prezantuar në kongresin vjetor të Endocrine Society në Çikago, pushimet që zgjasin më shumë se 30 minuta mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e steatozës hepatike të lidhur me çrregullimet metabolike (MASLD), e njohur më parë si sëmundja e mëlçisë së yndyrshme joalkoolike. Studimi përfshiu rreth 1.900 të rritur me diabet të tipit 2, të moshës nga 18 deri në 85 vjeç. Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe sipas cilësisë së gjumit gjatë natës dhe kohëzgjatjes së dremitjeve gjatë ditës. Gjatë një periudhe vëzhgimi prej më shumë se tre vitesh, 379 persona zhvilluan MASLD. Rezultatet treguan se ata që flinin mirë gjatë natës dhe bënin vetëm një dremitje të shkurtër pasdite kishin rrezikun më të ulët për t’u prekur nga kjo sëmundje. Nga ana tjetër, personat që flinin keq natën dhe përpiqeshin ta kompensonin mungesën e gjumit me dremitje të gjata gjatë ditës kishin deri në tre herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundjen e mëlçisë së yndyrshme.“Mesazhi ynë është i thjeshtë: bëni një dremitje, por me masë”, theksoi Xuejiang Gu, koordinatore e studimit. Sipas saj, për personat me diabet të tipit 2, një pushim i shkurtër mund të jetë i dobishëm, ndërsa gjumi i zgjatur gjatë ditës mund të ketë pasoja të padëshiruara për shëndetin e mëlçisë./kb
