Last Updated on 16/06/2026 by Anisa
Ish deputeti Ervin Salianji ka ashpërsuar tonet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se po pengon rotacionin politik dhe funksionimin normal të Partisë Demokratike. Sipas tij, prania dhe roli i Berishës në krye të opozitës po e mban në pushtet kryeministrin Edi Rama, pavarësisht pakënaqësisë së gjerë qytetare.
Në deklaratën e tij, Salianji thekson se një pjesë e madhe e demokratëve kërkojnë largimin e Berishës dhe ndryshimin e lidershipit të Partisë Demokratike, duke e akuzuar atë se ka “marrë peng” partinë për interesa personale dhe ka dëmtuar garën e brendshme politike.
Ai shton gjithashtu se protestat dhe pakënaqësia qytetare nuk drejtohen vetëm kundër qeverisë, por edhe ndaj mënyrës së funksionimit të opozitës, duke kërkuar më shumë demokraci të brendshme dhe meritokraci.
Reagimi i plotë i Salianjit:
Sali nuk je më opozita por je pengesa që opozita të vijë në pushtet! Sali Berisha duhet të dëgjojë thirrjet e shoqërisë për largimin e tij dhe t’i hapë rrugë rotacionit. Ai është kambaleci që e mban Ramën në qeveri, pavarësisht se thuajse 70% e qytetarëve janë kundër tij.
Ka 7 muaj që demokratët, në takimet e mia, kanë mbushur sallat dhe sheshet duke kërkuar largimin e Berishës, por ai e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po e mban peng për interesa personale. Shkaterroi garën dhe sot sheshin që duhet ta mbushte Partia Demokratike është plot edhe kundër Sali Bedishës! Shumica jane demokratë që kërkuan që ti të largohesh!!
Protestuesit po ngrihen kundër autokratit Rama në qeveri dhe autokratit Berisha në parti. Ata duan demokraci, rregulla loje dhe meritokraci, jo parti të mbajtura peng nga individë që i vendosin interesat e tyre mbi ato të demokratëve.
Dhe meqë ke kaq merak të merresh me budallallëqe për të zhvendosur vëmendjen në ditët më të këqija të Ramës, kam një pyetje: pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol.
Dil e fol edhe si i djathtë, në një kohë kur hapësira publike është mbushur me thirrje komuniste të nxitura dhe nga ti si komunisti më i vjetër që je!/a.d