Patrizia Reggiani, e njohur si “Lady Gucci” dhe e dënuar si porositëse e vrasjes së ish-bashkëshortit të saj, stilistit Maurizio Gucci, ka fituar një betejë të rëndësishme ligjore që mund t’i sigurojë një trashëgimi të vlerësuar në të paktën 20 milionë euro.
Gjykata Civile e Milanos ka shpallur të pavlefshëm, për shkak të falsifikimit, testamentin e nënës së saj, Silvana Barbieri Reggiani. Dokumenti, i hartuar në vitin 2018 ndërsa 90-vjeçarja ndodhej në spital, parashikonte që pjesa më e madhe e pasurisë së saj të kalonte në një fondacion dhe jo te vajza e saj, Patrizia.
Vendimi i gjykatës u mbështet në një regjistrim audio të realizuar nga ish-kujdestarja e familjes, e cila deklaroi se kishte vepruar me kërkesë të vetë Silvana Barbierit. Sipas gjyqtarëve, regjistrimi tregoi se disa nga deklarimet e përfshira në testament nuk ishin bërë kurrë nga e ndjera, duke ngritur dyshime serioze mbi vlefshmërinë e dokumentit.
Nëse vendimi konfirmohet edhe në apel, pasuria që përfshin prona me vlerë shumë milionëshe në Milano do t’i rikthehet trashëgimisë ligjore, ku përfituese e vetme është Patrizia Reggiani. Megjithatë, ajo nuk mund ta administrojë drejtpërdrejt pasurinë pasi vazhdon të jetë nën administrim ligjor mbështetës./kb
